Genscher u lind më 21 mars 1927 në Reideburg dhe u rrit në qytetin e afërt Halle. Si shumë të rinj gjerman edhe ai ishte pjesë e trupave të Hitlerit. Pas mposhtjes së regjimit të Adolf Hitlerit shtetet fitimtare e ndanë Gjermaninë në zona influence – dhe kështu Genscher mbeti në pjesën lindore, të sunduar nga komunistët gjermanë me ndihmën e sovjetikëve. Genscher iku nga Gjermania Lindore në vitin 1952, sepse nuk shihte ardhmëri në shtetin diktatorial. Në një bisedë me një juriste të regjimit ai në pyetjen se çfarë dëshironte të bëhej, Genscher ishte përgjigjur: «Avokat». Juristja e ashpër ishte përgjigjur: «Shumë mençur keni folur, sepse për njerëz si ju nuk kemi vend në shtetin tonë». Juristi Genscher vazhdoi karrierën në Gjermaninë Perëndimore. Që në vitin 1952 ai u anëtarësua në FDP, një parti liberale, e cila ka qenë gjatë partner junior i partive të mëdha, me të cilat ka qeverisur Gjermaninë. Zakonisht politikanë të FDP-së kanë mbajtur postet e nënkancelarit, ministrit të Jashtëm, të Drejtësisë, Ekonomisë apo të Punëve të Brendshme. Në vitin 1969 Genscher u zgjodh ministër i Brendshëm në kabinetin e kancelarit socialdemokrat Willy Brandt. Kur në vitin 1972 terroristët palestinezë morën peng disa sportistë hebraikë gjatë Lojërave Olimpike në München, Genscher shprehu gatishmëri të jetë peng vullnetar me kusht që të liroheshin hebraikët. Palestinezët refuzuan dhe vranë 17 persona. Në vitin 1974 u zbulua se këshilltari i kancelarit Brandt, Günter Guillaume, ishte agjent i Gjermanisë Lindore. Kjo ishte afera më e madhe e spiunazhit mes dy Gjermanive gjatë Luftës së Ftohtë. Brandt dha dorëheqje dhe pasardhës i tij u bë Helmut Schmidt. Në kabinetin e tij Genscher mori postin e ministrit të Jashtëm. Në këtë post Genscher do të qëndronte 23 vjet dhe do të jetë vartës i tre kancelarëve: Willy Brandt, Helmut Schmidt dhe Helmut Kohl. Në vitet 1980-të Genscher u angazhua për shtendosjen e marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Lindjes, thellimin e integrimeve europiane dhe përgatitjen e terrenit për bashkimin e Gjermanive. Genscher dha dorëheqje nga posti i ministrit të Jashtëm në vitin 1992, ndërsa më 1998 u tërhoq – pas 33 vitesh – edhe nga Bundestagu, parlamenti gjerman.
Në një intervistë dhënë programit të «Deutsche Welle» në gjuhën shqipe në vitin 2014 Genscher foli gjatë për historikun e marrëdhënieve gjermano-shqiptare. «Për Shqipërinë kam dëgjuar për herë të parë kur isha femijë, gjatë kohës së Mussolinit. Natyrisht që i kisha përcjellë pothuajse të gjitha ngjarjet në atë kohë që kishin të bënin edhe me Shqipërinë. Në veçanti marrëdhëniet mes ish-Bashkimit Sovjetik dhe vendeve komuniste. Kësaj i përkiste edhe Shqipëria. Më vonë kam ndjekur edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës. Prishjen e këtyre marrëdhënieve po ashtu. Gjatë Luftës së Dytë botërore Shqipëria vuajti edhe pasojat e kësaj lufte. Gjatë kohës së ekzistencës së Republikës Popullore Komuniste të Shqipërisë, ne ishim te vetëdijshëm që marrëdhëniet mes dy vendeve tona vuanin për shkak të diferencave të mëdha të sistemeve politike të të dy shteteve, si dhe të politikës izoluese të Enver Hoxhes».
Në këtë bisedë Genscher indirekt tregon se që në vitet 80-të, përmes kryeministrit të landit të Bavarisë Franz Josef Staruss, ishte përpjekur t’i bind beton-komunistët e Tiranës për të lidhur marrëdhënie me Gjermaninë. «Sigurisht që duhen krijuar kushtet për të dyja palët që vendosja e këtyre marrëdhënieve të ketë sukses. Vizita e Straussit në Tiranë hapi në njëfarë mënyre rrugën për bisedime mes delegacioneve. Kishte ardhur koha që edhe me Shqipërinë Gjermania duhet të lidhte marrëdhënie diplomatike (..). Shqipëria në këtë kohë ishte vërtet në gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe mbeti e vetme dhe pothuajse e izoluar pa asnjë aleat. Ajo që na befasoi në atë kohë ishin disa kushte të Shqipërisë për reparacionet e luftës të paraqitura në atë kohë nga ish-kryeministri (Adil Çarçani) në 1986 kur Straussi erdhi në Tiranë. Mendoj se qeveria e Shqipërisë duke mos pasur mundësi që të marrë kredi për shkak të Kushtetutës së saj, këmbëngulte në dëmshpërblimet e luftës që ishin shuma shumë të mëdha prej miliardash. Kjo kërkesë në fakt u përsërit pas asaj që ishte bërë në vitin 1975 nga qeveria e Shqipërisë kur ne kërkuam që të vendosnim marrëdhënie me të gjitha vendet që kishin qenë në luftë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë».
Në fillim të viteve 90-të Genscher ishte mbështetës i rëndësishëm i kthimit të Shqipërisë në organizat ndërkombëtare, siç është OSBE. Një rol edhe më të madh ai e luajti në procesin e pavarësimit të Kroacisë dhe Sllovenisë nga Jugosllavia. Kur në qershor të vitit 1991 ai vizitoi Beogradin me ftesë të ministrit të atëhershëm të punëve të Jashtme Budimir Lonçar, Genscher u takua edhe me Slobodan Milosheviqin me ç’rast menjëherë e kishte «shumë të qartë se ky njeri dëshiron Serbinë e Madhe». Për shkak të meritave të tij në pranimin e pavarësisë së Kroacisë shumë rrugë në qytete kroate bartin emrin e tij, ndërsa në ishullin Braç gjendet një përmendore e tij. Nga presidenti kroat Franjo Tugjman është nderuar me një dekoratë të lartë.
Historia e njohjes së Kroacisë dhe Sllovenisë dhe roli i Genscherit kanë qenë pjesë e debateve të ashpra politike dhe akademike. Genscher ishte fajësuar se me njohjen e dy republikave jugosllave e kishte ndezur tamam luftën në Jugosllavi. Për të ndriçuar këtë kapitull ia vlen një shikim në histori. Derisa 11 vendet anëtare të BE-së vendosën më 15 janar 1992 të pranojnë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë, një shtet tjetër me ndikim në Europë këtë hap e ndërmori më herët: më 23 dhjetor 1991 Gjermania bëri publik vendimin për njohjen e dy republikave të atëhershme jugosllave, të cilat kishin shpallur pavarësinë gjashtë muaj më parë. Ky akt atëbotë te jo pak serbë betonoi mitin se Gjermania i dha Jugosllavisë shtyrjen vdekjeprurëse. Në muajt e mëhershëm mediumet serbe kishin bërë një propagandë të gjerë kundër gjermanëve kinse arrogantë, të cilët po riktheheshin në Ballkan si pushtues. Gazeta «Večernje novosti» botoi një karikaturë, e cila tregonte Adolf Hitlerin, Ante Paveliqin dhe Franjo Tugjmanin në një rend. Kështu synohej të ilustrohej kontinuiteti prej nazizmit të Luftës së Dytë Botërore deri te politika e Tugjmanit në fillim të viteve 90-të. Gazeta «Glas» nga Banjalluka në edicionin e datave 26-27 tetor 1991 transmetonte një proklamatë të Partisë Demokratike Serbe, ku mes tjerash nënvizohej: «Nëse nuk bashkohen të gjitha kombet patriotike në luftë kundër Gjermanisë fashiste dhe ustashëve, atëherë ne së shpejti do të zhdukemi nga faqja e dheut». Në një karikaturë të botuar më 9 shkurt 1994 në gazetën «Zapadna Srbija» ilustrohej dimri në Kroaci: në vend të fjollave të borës në këtë vend binin kryqe naziste. (Shembuj të tillë mund të gjenden me bollëk në studimin e Armina Galijash mbi Banjallukën në kohën e luftës së viteve 90-të). Vite më vonë, gjatë procesit gjyqësor në Hagë, Slobodan Milosheviqi do të deklaronte se «kryekrimineli i shkatërrimit të Jugosllavisë» është Hans-Dietrich Genscheri.
Këto akuza nuk i qëndrojnë asnjë analize serioze. Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë më 25 qershor 1991, pasi ishte bërë e qartë se Jugosllavia nuk kishte ardhmëri. Vendimi për shkëputje ishte marrë përmes referendumeve në të dy republikat jugosllave. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare (lexo: bota perëndimore, përfshirë edhe Amerikën) vazhdonte të ishte skeptike. Ajo fillimisht nuk e përkrahu zyrtarisht pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Më 19 dhe 20 qershor 1991 në Berlin u mbajt Samiti i Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE, më vonë OSBE), ku Gjermania si vend mikpritës formuloi edhe deklaratën përfundimtare. Në të bëhej thirrje për ruajtjen e Jugosllavisë unike dhe për zgjidhjen e konfliktit pa dhunë. Edhe në javët në vijim tërësia territoriale e Jugosllavisë nuk vihej në pyetje nga Bonni, kryeqyteti i atëhershëm i Gjermanisë.
Shkatërrimi i Vukovarit, sulmet kundër qytetit të vjetër të Dubrovnikut, pamjet e civilëve të masakruar tronditën opinionin gjerman, i cili për dallim prej publikut në vendet e tjera europiane ishte më mirë i informuar për ngjarjet në Jugosllavi edhe falë gazetarëve kompetentë. Ata e njihnin Jugosllavinë mirë, disa prej tyre si Johann Georg Reissmülleri i «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (F.A.Z.) kishin qenë korrespondent në Beograd. Presioni i disa mediumeve për të ndërmarrë diçka kundër agresionit serb në Slloveni dhe Kroaci ishte i madh. Por politikanët ngurronin. Ministri i Jashtëm Hans-Dietrich Genscher atëbotë deklaronte: «Zonja dhe zotërinj, Gjermania në këtë konflikt të Jugosllavisë nuk po ia mban anën një populli kundër një tjetri të këtij vendi, me të cilin kemi miqësi të ngushtë. Ne po ua mbajmë anën grave dhe nënave, të cilat nuk duan që burrat dhe djemtë e tyre të derdhin gjak në këtë luftë të pakuptimtë».
Nga mesi i nëntorit 1991 forcat serbe pushtuan Vukovarin e shkatërruar pothuaj plotësisht prej tyre, sulmet mbi Dubrovnik vazhdonin dhe konflikti në Kroaci shkonte duke u ashpërsuar. Në atë kohë ndryshoi edhe qëndrimi i Gjermanisë, e cila vlerësonte me të drejtë se Jugosllavia tashmë ekzistonte vetëm në letër. Por Genscheri nuk veproi në mënyrë unilaterale, siç janë të prirë të mendojnë disa vëzhgues serbë ose majtistë europianoperëndimorë. Më 17 dhjetor 1991 kryediplomati gjerman arriti t’i bindë kolegët e tij nga vendet anëtare të BE-së se kush dëshiron mund ta pranojë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Me atë rast Genscher kishte thënë se «ruajtja e strukturave, të cilat nuk pranohen nga popujt, vetëm mund të shtojë tensionet». Tek pasi BE miratoi një qëndrim të përbashkët për njohjen e dy republikave jugosllave, Gjermania veproi më 23 dhjetor 1991. Tri javë më vonë pasuan shtetet e tjera të BE-së.
Megjithatë, miti ishte krijuar tashmë. Madje edhe ministri i Jashtëm francez Roland Dumas e bëri përgjegjës Gjermaninë për ashpërsimin e krizës në Jugosllavi, duke thënë se me njohjen e pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë ishte huqur shansi për një zgjidhje politike. Se Dumas nuk mund të merrej aq seriozisht si politikan tregon edhe fakti se ai në vitin 2001 u dënua për korrupsion nga një gjyq francez. Një pozicion indiferent ndaj krimeve mbajti edhe presidenti francez François Miterrand. Në një intervistë dhënë gazetës «Frankfurter Allgemeine Zeitung» në dhjetor 1991 ai ishte pyetur mbi shkaktarët e krizës në Jugosllavi. Përgjigjja e tij: «Ju po më pyetni kush është agresor dhe kush i sulmuar? Nuk mund t’jua them. Por ajo që di është se historia e Serbisë dhe Kroacisë është plot me drama». Sa thellë ishte ngulitur miti se Gjermania kishte shkatërruar Jugosllavinë tregon edhe një deklaratë e Warren Christopherit, ministrit të Jashtëm amerikan në administratën e presidentit Bill Clinton. Në një intervistë për gazetën «USA Today» ai kishte thënë: «Në gjithë procesin e njohjes… u bënë gabime të rënda dhe gjermanët për këtë bartin një përgjegjësi të veçantë».
Genscher këto akuza i ka injoruar gjatë, por në vitin 2011, në një intervistë për «Frankfurter Allgemeine Zeitung» tha se kritikat janë përpjekje e disa protagonistëve të atëhershëm që të merren me gabimet që i kanë bërë vetë.
Pergatiti Enver Robelli