Rrëzimi i Ligjit nga Gjykata Kushtetuese për Komisionet Hetimore rikthen kuvendin në shinat e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë. Kështu është shprehur deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një reagim në rrjetet sociale pas këtij vendimi. Ajo e ka quajtur krizën e krijuar nga mazhoranca si artificiale dhe këtu i referohet vendimit të mazhorancës për të bllokuar për mbi katër muaj ngritjen e komisioneve hetimore.
Tabaku iu referua këtij bllokimi të pakuptimtë dhe më pas në statusin e saj në rrjetet sociale ajo ka vijuar ta cilësojë ligjin e propozuar nga mazhoranca si “të sajuar me porosi” me qëllim shmangien e plotë të “thelbit të ngritjes së komisioneve hetimore”.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku dhe nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj kanë pasur përplasje në lidhje me propozimet ligjore. Parlamenti kundërshtoi marrjen në shqyrtim të ligjit të deputetes demokrate, ndërkohë që analizoi vetëm ligjin e propozuar nga nënkryetarja e Kuvendit.
Postimi i plotë i Jorida Tabaku
Rrëzimi i Ligjit për Komisionet Hetimore nga Gjykata Kushtetuese është një tjetër hap që i jep mundësinë Kuvendit të Shqipërisë të rikthehet në shinat e funksionalitetit dhe kushtetueshmërisë. Kriza artificiale që prodhoi mazhoranca në fillim duke mos lejuar ngritjen e komisioneve hetimore, pastaj duke sajuar një ligj me porosi për t’iu shmangur thelbit të ngritjes së Komisioneve u rrëzua përfundimisht sot.
Përgëzime të përzemërta koleges Çupi dhe këshilltarit ligjor në PD, Marash Logut, që edhe një herë dëshmuan drejtësinë e qëndrimit të Grupit Parlamentar të PD në lidhje me Komisionet Hetimore.
Fitorja, i jep shansin këtij kuvendi që të rikthehet drejt ligjshmërisë. Ndryshimet e njëanshme janë të destinuara të dështojnë. Uzurpimi i hapësirës kushtetuese dhe ligjore të opozitës është i destinuar të dështojë. Në sirtarët e kuvendit gjendet ende drafti që kam propozuar në emër të grupit parlamentër të Partisë Demokratike për Ligjin e Komisioneve Hetimore. Ndryshime të kryera mbas gjetjeve në komisionin e inceneratorëve dhe bisedës me ekspertët. Në drejtësinë e këtij vendimi është që kryetarja e parlamentit të nxjerrë në dritë atë propozim dhe ta diskutojmë për ta përmirësuar dhe rikthyer hapësirën e cunguar opozitës.
/a.r