Gazetari Ferdinand Dervishi ka folur lidhur me vrasjet e “21 Janarit” në bulevard. Ai tha se vrasjet tashmë do të hetohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.
Kreu i SPAK deklaroi dje në një bashkëbisedim me gazetarët se do të nisë hetimet me tu zbardhur vendimi i Gjykatës së Lartë. Në bazë të këtij vendimi kërkohet hetimi për Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin për rolin e tyre si urdhërues të “21 janarit”.
Për gazetarin Ferdinand Dervishi, fakti që dosja pas më shumë se 13 vitesh është në dorë të SPAK është meritë e familjarëve të viktimave. Ai tha Prokuroria e Posaçme duhet të hetojë nga ish-kryeministri Berisha deri te ish-kreu i Gardës. Dervishi shtoi se SPAK duhet të zbulojë se kush i fshiu serverat dhe pse iu bë presion prokurorisë për keqhetim dhe intimidim.
Më 14 nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut urdhëroi nxjerrjen e përgjegjësve të vërtetë, ata që urdhëruan gardën të shtijë me armë ndaj turmës së protestuesve. Ndërkohë, Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e familjarëve që dosja të hetohej nga SPAK.