Teksa në Partinë Socialiste nuk është folur për një fushatë të mirëfilltë që duhet të ketë për referendumin që do të mbahet më 9 prill, në lidhje me legjitimitetin e mandatit të Edi Ramës në krye të PS-së pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme, vetë deputeti Ben Blushi ka nisur nga Shkodra takimet me anëtarësinë e majtë për të argumentuar pse ky referendum nuk duhet të mbahet. I shoqëruar edhe nga deputetja Mimoza Hafizi, e cila ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të PS-së së bashku me një grup tjetër deputetësh, Blushi ka paraqitur 20 arsyet pse nuk duhet mbajtur referendumi. Njëzëri, ata kanë deklaruar nga Shkodra se referendumi për kreun e PS-së është një mundësi për të trukuar shumicën dhe pakicën. “Referendumi është një mundësi për të trukuar shumicën dhe pakicën. Ky është një referendum pa asnjë fushatë. Është mohuar e drejta e pasjes së vëzhguesve. Shqiptarët nuk po marrin atë që u është premtuar”, u shpreh Blushi. Ndërkohë që gjatë fjalës së saj, Hafizi deklaroi se kërkesa për referendum u votua në kundërshtim me normat e PS-së dhe se pyetja është formuluar në kundërshtim me statutin. “Anëtarëve të PS-së iu hoq e drejta e votës. Gjithashtu, u hoq e drejta e kandidimit të anëtarëve socialistë për kryetar të PS-së”, tha Hafizi. Dy deputetët zgjodhën Shkodrën, pikërisht ku në këtë qytet tri vite më parë, më 1 prill 2013, Rama dhe Meta firmosën koalicionin politik.
Argumentet
Duke mos ndryshuar qëndrim nga zhvillimi i zgjedhjeve në parti dhe jo mbajtja e një referendumi, rezultati i të cilit do të jetë i trukuar, Blushi dhe Hafizi kanë folur për 20 arsye pse nuk duhet votuar më 9 prill. “Në Kongresin e Partisë Socialiste, 19 mars 2016, ky referendum u votua në kundërshtim të plotë me normat e PS-së; Kongresi u zhvillua mbi bazën e një rendi dite të përcaktuar më parë, pa u lejuar të miratojë rendin e tij të ditës; pati kërkesë të një grupi delegatësh për shtesa në rendin e ditës, e cila nuk u lejua të votohej; në rendin e ditës nuk u përfshi detyrimi statutor për hapjen e procedurës së zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që kryetarit i ka mbaruar mandati prej tri vitesh; Kongresit iu imponua iniciativa e një delegati të vetëm për referendum, ndërsa statuti parashikon që iniciativa referendare i takon Asamblesë Kombëtare dhe me kërkesën e 20% të anëtarësisë së partisë. Kongresit nuk iu dha e drejta të njihej dhe të shprehej për pyetjen që do të shtrohej në referendum”, thuhet në disa argumente lidhur me mosmbajtjen e referendumit. Duke u ndalur edhe një herë në miratimin e statutit të ri të PS-së, Blushi dhe Hafizi sqarojnë se Kongresi nuk u lejua ta miratojë nen për nen statutin e ri, çka vë në diskutim çdo vendim të marrë për këtë referendum. Kongresi ka zgjedhur si anëtarë të Asamblesë Kombëtare shumë persona të anëtarësuar në parti vetëm disa ditë para Kongresit, ndërkohë që neni 41.4 i statutit kërkon një përvojë trevjeçare në parti të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.
Kritikat janë edhe në lidhje me faktin se, sipas Blushit dhe Hafizit, Kongresi ka zgjedhur si anëtarë të Asamblesë Kombëtare shumë nëpunës të shërbimit civil, ndonëse neni 41.4 i statutit e ndalon, si dhe në këtë referendum është mohuar e drejta e fushatës për alternativat e ndryshme. “Ky referendum tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste, duke i hequr të drejtën e votës dhe kandidimit anëtarëve të Partisë Socialiste; statuti i ri nuk u lejua të kalojë nen për nen në Kongres, për të fshehur ndryshimet thelbësore të bëra projektit të miratuar në Asamblenë Kombëtare. Ndryshimet pa autorësi që iu bënë statutit të ri synojnë t‘i japin mandat të përhershëm kryetarit të partisë, i cili jo vetëm që nuk votohet, jo vetëm që mandatin nuk e fiton me zgjedhje, por as nuk dorëhiqet kur partia humb në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare; në variantin e statutit që miratoi Asambleja Kombëtare shkruhej: “Mandati i kryetarit të partisë ndërpritet kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme”, ndërsa në variantin që u kalua pa votim nen për nen në Kongres, shkruhet se “mandati i kryetarit të partisë ndërpritet kur partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme”, sqarojnë Blushi dhe Hafizi në materialin që i kanë shpërndarë anëtarësisë lidhur me argumentet pse nuk duhet mbajtur referendum më 9 prill. / Gazeta Shqip