Një i mitur është arrestuar në Mitrovicë të Veriut – dhe më pas është liruar – pasi sipas Policisë së Kosovës, ai u kap në flagrancë duke vendosur letra ngjitëse me përmbajtje nacionaliste.
“Gjatë kontrollit te i dyshuari janë gjetur 83 stikera [letra ngjitëse]”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Letrat ngjitëse janë të tifozëve, Delije, të ekipit serb të futbollit, Cërverna Zvezda (Ylli i Kuq).
Autoritetet e sigurisë thanë po ashtu se për këtë rast u arrestuan edhe katër të mitur të tjerë, në shtëpitë e të cilëve u gjetën dhe u sekuestruan “dëshmi që ndërlidhen me rastin”.
“Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, u tha në njoftim.
Gjetja e këtyre letrave ngjitëse në Mitrovicë të Veriut, vjen pasi më 30 qershor në katër komunat në veri – të banuara me shumicë serbe – u shfaqën pamflete me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.
Për shfaqjen e këtyre pamfleteve është hapur një rast për “nxitje të urrejtjes”, teksa Policia e Kosovës i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush qëndron pas këtij rasti.
/a.r