Vendimi më i fundit i Bankës Qendrore për të ulur normën e interesit të lekut ishte i pritshëm dhe i sinjalizuar më parë. Madje kjo vendimmarrje pritet të shoqërohet edhe me ulje të tjera të njëpasnjëshme. I këtij mendimi është eksperti i ekonomisë Adrian Civici, i cili tha në emisionin “E-ZONE” se sa do të zgjasë ky cikël.
“Kemi hyrë në një cikël i cili do të shoqërohet me ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit të lekut. Madje nëse nuk do të kemi zhvillime të papritura brenda apo jashtë vendit, ky cikël në kahun rënës të normave do të zgjasë dy apo tre vite në vazhdim”, – tha Civici në “E-ZONE”.
Të dhënat flasin se treguesi kryesor, ai i inflacionit në vend, ka ardhur në rënie më shpejt nga sa pritej. Nga ana tjetër edhe inflacioni i importuar është një tregues në rënie. Por sipas tij ka pikëpyetje nëse rënia e inflacionit do të jetë një fenomen i qëndrueshëm apo i përkohshëm.
“Efekti i politikës monetare jep efekt 3 deri në 18 muaj. Por duke parë situatën në të cilën ndodhemi, unë mendoj se efekti i zbatimit do të jetë i shpejtë, si për kreditë e reja që do të jepen apo dhe ato ekzistuese do të ketë një rishikim në ulje të normave të interesit, duke lehtësuar qytetarët nga kostot”, – tha Civici.
/a.r