Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Iranit do t’i duhet kohë për t’iu ribashkuar ekonomisë globale. Muaj më parë, komuniteti ndërkombëtar ka hequr sanksionet kundër Teheranit, si kusht për këtë të fundit që të frenojë programin bërthamor.
“Do të duhet kohë për Iranin që të riintegrohet në ekonominë globale, por Irani tashmë ka nisur të shohë përfitimet e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Obama të premten, në një takim të fuqive botërore në Uashington.
Teherani është ankuar se vazhdimi i kufizimeve të SHBA-së në banka e pengon atë që të sigurojë përfitime më të mëdha ekonomike.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka akuzuar së voni Shtetet e Bashkuara se kanë dështuar t’iu përmbahen kushteve të marrëveshjes bërthamore, të arritur në korrik të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.
Khamenei ka thënë se Uashingtoni ka hequr sanksionet “në letër”. Disa sondazhe të opinionit në Iran po ashtu kanë treguar skepticizëm për situatën ekonomike në këtë vend, pas disa dekadash sanksione. Shumë sanksione që janë lidhur me çështjet bërthamore në Iran, kanë përfunduar kur marrëveshja bërthamore ka hyrë në fuqi më 17 janar.