Emina Cunmulaj, filantropja dhe modelja e njohur, ka sjellë një rrëfim të veçantë në një intervistë të fundit për Radar, pas një vizite disaditëshe në Kosovë për të zhvilluar projekte të ndryshme.
Ajo ka ndarë planet e saj që pritet t’i realizojë për të ndikuar pozitivisht në Kosovë, duke përfshirë iniciativa që pritet të kenë një impakt të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik.
Ajo ka theksuar se plani për zhvillim ekonomik nuk ka të bëjë vetëm me gratë, por edhe me të gjitha familjet që kanë pak tokë pas shtëpive të tyre.
“Kështu që plane kemi të shumta, sot kemi diskutuar për një plan shumë të madh që besoj se ka me qenë transformativ këtu për Kosovën. Nuk jam ende gati për të treguar, por besoj që do të jetë diçka që me të vërtetë do të ketë një fuqi të madhe për zhvillimin ekonomik jo vetëm të këtyre grave, por gjitha familjeve që kanë pak tokë pas shtëpive të tyre, kaq po tregoj.
Cunmulaj ka theksuar rëndësinë e Fondacionit Emina’s Hand, të themeluar me qëllimin për të ndihmuar nënave dhe gratë me nevoja, si dhe të rinjtë.
Ajo e përshkroi bashkëpunimin e saj me Jahjaga Foundation si fillimin e një kapitulli të ri në angazhimin e saj për të përmirësuar jetën e grave dhe të rinjve.
Modelja vazhdoi të ndajë emocionet e saj të thella në lidhje me përvojën e saj në Kosovë dhe historitë që dëgjoi nga gratë të cilat përjetojnë vështirësi të mëdha.
Ajo shprehu trishtimin e saj për faktin që shpesh këto gra ndihen të injoruara dhe të paplotësuara.
Këto gra po e ndiejnë veten sikur nuk po i shohin njerëzit, nuk po i dëgjojnë njerëzit sikur të ishin fantazma, po e ndiejnë vetë. Dhe kur i dëgjon këto gjëra si grua, si një nënë, dhemb shumë. Ka ndoshta edhe shumë gra të tjera që u ndahen këto gjëra çdo ditë edhe kur ne si shoqëri nuk u japim përkrahjen për atë edhe ato nuk flasin. Shumë e vështirë.
Cunmulaj gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe solidaritetit të shoqërisë për këto gra në nevojë, duke shprehur shpresën se ky moment mund të jetë një zgjim për të gjithë për të kuptuar dhe ndihmuar më shumë ato që vuajnë.