Kapiteni i skuadrës franceze të futbollit, Kylian Mbappe, në deklaratën për mediat para ndeshjes çerekfinale të Euro 2024 me Portugalinë, nuk ka nguruar të shprehë edhe qëndrimin e tij për zgjedhjet në Francë.
Ashtu siç bëri edhe para raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare, të cilat iu fituan nga e djathta ekstreme e Marine Le Pen, kapiteni i “Les Blues” sërish komentoi situatën politike, duke u kërkuar francezëve të mos votojnë Tubimin Kombëtar.
“Mendoj se më shumë se kurrë duhet të shkojmë në zgjedhje, është vërtet urgjente, nuk mund ta lëmë vendin tonë në duart e këtyre njerëzve, është vërtet urgjente”, tha Mbappe duke komentuar fitoren e partisë së Le Pen.
“Ne i kemi parë rezultatet, është një fatkeqësi”, shtoi sulmuesi francez.
Mbappe ishte në mesin e disa lojtarëve francezë në Kampionatin Evropian që kërkoi të votohet kundër Marine Le Pen, për t’ia hequr ekstremit të djathtë mundësinë për të marrë kontrollin e parlamentit kombëtar të Francës.
Ai më parë u bëri thirrje votuesve të rinj në Francë që të refuzojnë ekstremizmin.
“Ne jemi një brez që mund të bëjmë një ndryshim. Ne shohim se ekstremet po trokasin në derën e pushtetit dhe ne kemi mundësinë të formësojmë të ardhmen e vendit tonë“, tha sulmuesi i Real Madrid.
I pyetur rreth komenteve me përmbajtje politike nga djemtë e tij, trajneri i Francës, Didier Deschamps, tha se ai respekton të drejtën e lojtarëve të tij për ti shprehur këto pikëpamje.
“Është vullneti i tyre i lirë. Duhet të pranojmë se janë lojtarë të mëdhenj, por edhe qytetarë të Francës dhe nuk janë imunë apo indiferentë ndaj situatës në vend”, tha trajneri francez.
/a.r