Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha sot se Policia e Shtetit është e angazhuar çdo ditë në misionin e saj për të vendosur para drejtësisë të gjithë ata që kanë arritur t’i fshihen përballjes me të.
Në një reagim në rrjetet sociale, lidhur me ekstradimin e Laert Haxhisë, Balla thekson se kjo goditje e pandëshkueshmërisë vijon. “Po punojmë çdo ditë me ministritë dhe agjencitë e vendeve partnere, Interpol dhe Europol, për gjetjen e personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, të fshehur prej kohësh nga përballja me drejtësinë apo vuajtja e dënimit”, u shpreh ai.
“Një falenderim për autoritetet homologe greke dhe Policisë së Shtetit, Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, për vendosjen para drejtësisë së një personi shumë të kërkuar”, nënvizoi Balla, duke iu referuar rastit të ekstradimit të Haxhisë.
Policia njoftoi sot se është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, Laert Haxhiu. 32-vjeçari, rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale.