Shkrimtari i mirënjohur, Preç Zogaj është shprehur me trishtim për ikjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare. Në një prononcim për Klan News pasi bëri homazhet për Kadarenë, Zogaj ka thënë se Letërsia Shqipe ka humbur mbretin e saj.
Preç Zogaj: Letërsia Shqiptare ka humbur mbretin e saj. Kadareja është mbreti i Letërsisë Shqipe të të gjitha kohërave. Ai themeloi një kuptim të ri për letërsinë moderne, duke reflektuar dhe përvojat më të avancuara. Ishte një shkrimtar unikal që reflektoi talentin e radhë dhe ajo që e veçon Kadarenë është talenti i tij i një niveli shumë të lartë, magjia e tij në të shkruar, stili i tij i mrekullueshëm.
Me trishtim kam vënë re një ndërprerje të njohjes së veprës së tij. Edhe ata që shkruajnë, duhet të startojnë nga veprat e Kadaresë. Vdekja e tij mund të shërbejë si një moment reflektimi për të gjetur kuptimin e vërtetë të Letërsisë.
Kadareja ishte pasqyra e veprës së tij. Ishte një personazh i sofistikuar edhe shakatë e tij ishin të holla. Kishte edhe groteskë në mënyrën e komunikimit të tij. Dukej i mbyllur, por nëse gëzoje simpatinë e tij, bëhej një njeri gjithnjë e më i hapur dhe në hapje shpërthente në kulturë.
Gjatë fjalës së tij, Zogaj ka folur për bisedimet e fundit që ka zhvilluar me shkrimtarin e madh, Ismail Kadare.
Preç Zogaj: Biseda të fundit kam zhvilluar në takime në bulevard, kemi komunikuar për emisione letrare, për emisione tek “Opinion” për letërsinë. Të fundit herë kam pasur një komunikim me imazh. Më herët kam pasur komunikime më intensive. Jam një lexues që kam lexuar çdo gjë të tij.
/a.r