Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka kujtuar dhe bërë homazhe në nder të shkrimit Ismail Kadare përmes vlerësimit dhe përjetimeve që vetë diplomatët amerikanë kanë pasur kur kanë lexuar veprat e tij të mëdha.
Në nder të veprës së gjigandit shqiptar të letërsisë Ismail Kadare, Ambasada e SHBA-së u ka kërkuar diplomatëve amerikanë në Tiranë të ndajnë mendimet e tyre për disa prej librave të tij dhe ja kush ishin disa prej tyre.
PRILLI I THYER
Më pëlqeu shumë Prilli i Thyer. Përshkrimet e gjalla të veriut mahnitës të Shqipërisë dhe kompleksiteti i pasur i shoqërisë të mrekullueshme ishin një pasqyrë e fuqishme në këtë vend me teksturë dhe të bukur.
David Wisner, I Ngarkuar me Punë në Ambasadën e ShBA
PIRAMIDA
Shkrimi i Piramidës më magjepsi – përmes shumë pak fjalëve, Kadare interpretoi në mënyrë delikate ambicien njerëzore dhe luftën nën pushtetin autoritar përmes shumë këndvështrimeve, të gjitha që lexuesit t’i zbulojnë dhe vlerësojnë vetë.
John Kastning, Drejtues në Byronë Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit
E PENGUARA
Një mik shqiptar më rekomandoi këtë libër që më përfshiu tërësisht. Përmes historisë së mistershme të një gruaje (Linda B.), Kadare prek dashurinë, artin dhe zgjedhjet që njerëzit bëjnë në rrethana të jashtëzakonshme. Tërheqës, magjepsës dhe shumë i bukur.
Amanda Roberson, Shefe në Detyrë e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun
KRONIKË NË GUR
Kronikë në Gur është një përshkrim i bukur zemërthyes i përvojës së një fëmije në luftë. Në këtë vepër gjysmë- autobiografike, Kadare shpërfaq një mjeshtëri ironie, antropomorfizmi dhe përshkrimi plot imagjinatë që kërkon që lexuesi të ndjejë përballjen e pastërtisë së thjeshtë të fëmijërisë dhe tmerreve të pakuptueshme të Luftës së Dytë Botërore.
Gabriel Vaughan, Këshilltar për Sigurinë Kibernetike, Zyra e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes
PALLATI I ËNDRRAVE
Njohja ime me veprat e Ismail Kadaresë nisi me romanin e tij Pallati i Ëndrrave. Ky libër e udhëhoqi mendjen time në një udhëtim të papritur. Romani i Kadaresë e çon lexuesin përmes gëzimit të personazhit kryesor për rolin e tij të ri, vetëm për të kulmuar në një fund të paparashikuar dhe befasues. Thyerja e ëndrrave, duke u zhvendosur nga një mjet për të pasur sukses në një mjet për shkatërrimin e dikujt, ishte po aq mendim-ndjellës sa edhe zemërthyes. Kadare eksploroi me mjeshtëri fuqinë e ëndrrave, duke i shndërruar ato nga një simbol shprese në një instrument kontrolli dhe dëshpërimi.
Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Këshilli i Ministrave vendosi të shpallte datën 2 dhe 3 korrik ditë zie në nder të personalitetit të shquar të letrave shqipe. Përgjatë këtyre dy ditëve, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtizë.
/a.r