Qeveria shqiptare ka shpallur të martë dhe të mërkurë, ditë zie kombëtare në nderim në shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare të martën dhe të mërkurën, përkatësisht, në datat 2 dhe
3 korrik 2024, në nderim të të ndjerit, Ismail Kadare, personalitet i shquar i letrave shqipe.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e mërkurë, datë 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30.
4. Në orën 13:00, datë 3.7.2024, në nderim të tij të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.
5. Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funebre.
6. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore ngrihet Komisioni i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, i cili në përbërje të ketë:
Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
– Ministrin e Mbrojtjes;
Ministrin e Brendshëm;
Kryetarin e Bashkisë Tiranë;
–
– Drejtorin e Protokollit të Shtetit;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë; Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
Përfaqësues nga Kabineti i Kryeministrit;
Përfaqësues nga zyra e Shtypit të Kryeministrit.
7. Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative të homazheve dhe të ceremonialit shtetëror.
8. Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI