Kryeministri Edi Rama, në një takim me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza, deklaroi se skandali te Onkologjiku ishte “krim jo thjesht kundër të sëmurëve, por të gjithë njerëzimit”.
“Sot nuk mungon thuajse asgjë nga ato që nuk kishim dje, por fatkeqësisht jo gjithnjë përkushtimi i mjekut është në lartësinë e misionit të tij. Të mos jesh në lartësinë e detyrës është një hall shumë i madh për njeriun, pasi me mjekun lidhet fati i shëndetit të tij. Ta përdorësh uniformën më delikate të shoqërisë për të nxjerrë para me ilaçet e të sëmurëve është krim jo thjesht kundër të sëmurëve, por të gjithë njerëzimit”, tha Rama.
“Ndërkohë që në këtë dekadë të fundit qeveria ka bërë më shumë se sa është bërë në shumë dekada të mbledhura bashkë, nuk mund të thuhet dot se radhët e profesionistëve të shëndetësisë janë pastruar nga zullumqarët e shëndetit. Nuk mund të thuhet dot se sistemi shëndetësor është çliruar nga korrupsioni. Ishte krim kundër të gjithë njerëzimit dhe njerëzores”, shtoi Rama.
Ai i cilësoi mjekët e përfshirë në skandal si pesë maskarenj që mjaftuan për të nxitur nje revolte legjitime, por fatkeqesisht kunder te gjitha bluzave te bardha.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e pranishme në takim, bëri me dije se nuk do të lejohen më mjekët që të ndjekin të njëjtin pacient në publik dhe në privat: “Mjekët e punësuar në sektorin publik që punojnë në klinika private duhet të marrin autorizim nga drejtuesi i spitalit dhe do konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë. Do të ndalohen mjekët që të ndjekin të njëjtët pacientë edhe në klinikat private. Kjo praktikë është toleruar gjatë këtyre viteve dhe u zgjat pasi kjo qeveri vendosi të ndërmarrë reformën shëndetësore. Sot jemi në hapin e fundit të reformës dhe së shpejti QSUT dhe spitalet e tjera do të marrin autonominë e plotë. Mjekët që kanë hapur klinika private nuk do të mund të mbajnë funksione drejtuese në spitale publike apo në Universitetin e Mjekësisë”.
/a.r