Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien bëri të ditur se Serbia ka premtuar të zhvillojë në gjykim të plotë dhe të përballë me ligjin Milan Radoiçiq, i cili akuzohet për vrasjen e një efektivi të Kosovës në sulmet e shtatorit të kaluar në Banjskë.
Gjatë Forumit të Dubrovnikut, O’Brien u shpreh se pret zhvillime pozitive në këtë drejtim.
“SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë të vazhdueshme kanë thënë se krimet e kryera në shtator në Banjskë duhet të ndëshkohen. Ne presim dhe besoj se na është premtuar se Radoiçiq do të kalojë nëpër një proces të plotë ligjor në Serbi. Është gjë e mirë që duket se nuk është aktiv në veri të Kosovës, siç ka qenë më herët, shohim se nga kjo ka përfitime pozitive. Ndaj tij është ngritur akuzë dhe presim që procesi ndaj tij të përfundojë”, tha O’Brien.
Lidhur me tensionet në veri të Kosovës por edhe në Bosnjë e Hercegovinën, O’Brien mohoi në mënyrë kategorike që përdorimi i forcës dhe dhunës do të sjellë zgjidhje, ndërsa bëri thirrje për përdorimin e mjeteve më produktive për ulje të tensioneve dhe bashkëjetesën e qetë të komuniteteve.
“Mendoj se po ashtu duhet të jemi të qartë se përdorimi i forcës për të arritur te zgjidhja duhet të përjashtohet. Kjo përfshin pjesët më të ndjeshme të Bosnjë e Hercegovinës dhe në veri të Kosovës dhe mendoj se këtu aktorët relevantë shtetërorë kanë ndërmarrë qëndrime të forta se nuk mbështesin përdorimin e forcës në këto zona. Por, ne na duhet ta largojmë diskutimin për dhunën, dhunës shtetërore. Kjo do të na mundësonte që të përdorim mjetet që kemi në një mënyrë që ne mendojmë se do të ishte produktive”, tha O’Brien.
Milan Radoiçiq cilësohet si koka e një grupi kriminal që ka vepruar në veri të Kosovës duke qenë protagonist i shumë trazirave. Pas sulmit në Banjskë, Radoçiq mori përgjegjësinë për organizimin e tij ku mbeti i vrarë një efekti i Policisë së Kosovës.
/a.r