Rreth 2000 banorë të cilët kanë probleme kardiake në rrethin e Dibrës nuk do t’i drejtohen më kryeqytetit për të kryer një ekzaminim ECHO-je, për të kryer provat ushtrimore apo të ekzaminohen me Holter tensioni arterial apo Holter ritmi kardiak, falë hapjes së kabinetit të kardiologjisë në në këtë spital rajonal.
Gjatë përurimit të këtij kabineti Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka theksuar se 180 mijë banorët e Qarkut të Dibrës tashmë do të marrin shërbimin e tyre shëndetësor më pranë zonës së banimit, duke bërë të mundur uljen e kostove në xhepin e gjithsecilit prej tyre, por edhe duk çliruar fluksin e pacientëve në Qendrat Universitare të kryeqytetit. Ndër të tjera, kreu i shëndetësisë theksoi se, “kabineti i ri i kardiologjisë që funksionon prej fillimit të vitit në Spitalin Rajonal të Dibrës është vijim i angazhimit tonë për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, me fokus edhe te sëmundjet kardiovaskulare, të cilat kanë edhe barrën më të lartë të sëmundshmërisë në Shqipëri”.
Me investimet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë për ngritjen e këtij kabineti që kap vlerën e 5.8 milion lekëve nga Buxheti i Shtetit, mjekët do të kenë mundësi të kapin më herët problemet kardiake të pacientëve të zonës, duke i shërbyer padyshim, shumë më mirë banorëve të zonë dhe duke i’u dhënë mundësinë mjekëve kardiologë të shprehin shumë më mirë dijet dhe njohuritë e tyre, tha më tej Ministri Beqaj.