Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) kërkon marrjen e disa masave nga ana e Qeverisë për të lehtësuar fermerët përpara se të mbërrijë piku i prodhimit bujqësor.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, përmes një letre që i drejtohet kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti dhe ministrit të Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, shpreh shqetësimin e vakuumit ligjor që parasheh pagesat në dorë për produktet bujqësore në tregje, një handikap, qe sipas tij, duhet të korrigjohet me urgjencë.
“Pjesa më e madhe e fermerëve nuk zotërojnë llogari bankare dhe janë larg këtyre shërbimeve, duke e parë veten padrejtësisht të përjashtuar nga e drejta e shitjes së prodhimeve”, thotë Vasili.
Duke sjellë si shembull vendet e rajonit, Vasili propozon që të ndërhyhet me akte normative të Qeverisë për të lejuar kryerjen e shitblerjeve me para në dorë, deri në 100 mijë lekë për fermerët në pikat e grumbullimit dhe agro-përpunimit.
“Kërkohet zgjidhje urgjente sepse po afrohet piku i prodhimit dhe pengesat në shitje çojnë në dëmtime të prodhimeve në serra dhe arë dhe humbje të mëdha për fermerët”, shprehet kryetari i grupit të LSI-së.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Vasili lidhet me sigurimet, për të cilat kërkohet që të mos vendoset rregulli i pagesës së sigurimeve shoqërore për gjithë vitin për fermerët, në mënyrë që të përfitojnë nga skemat subvencionuese. “Ju propozojmë që të mos ndryshojë kriteri i deritanishëm i detyrimit të pagesës së sigurimeve vetëm për muajin kur ndodh aplikimi”, thuhet në letër.
Së fundmi, Vasili ngre një problematikë që lidhet me doganat, të cilat thotë ai, i mbyllin shërbimet doganore në orën 20:00, ndërkohë që kamionët me prodhime bujqësore lëvizin përtej këtij orari.
Vonesat dëmtojnë cilësinë e prodhimit dhe thyejnë kontratat e dorëzimit në kohë në destinacion. Kjo po penalizon prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë, shprehet Vasili në letrën drejtuar kryeministrit dhe disa ministrave.