Një person i armatosur ka hapur zjarr në një stacion autobusi në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara ndaj një ushtari të kalorësisë, ndërsa më pas autori është qëlluar për vdekje nga forcat ushtarake.
Policia në Virxhinia ende nuk e ka identifikuar autorin e ngjarjes. Sipas mediave amerikane, ushtari mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua menjëherë në spital me plagë, që sipas mjekëve, janë kritike për jetën. Gjithashtu, në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, por fatmirësisht me plagë të lehta raporton Tch.
Mediat amerikane raportojnë se në zonë zyrtarët ishin duke kryer stërvitje, kur personi i armatosur iu afrua ushtarit të kalorësisë duke e qëlluar atë në gjoks.
Shkaqet që çuan personin e armatosur të hapte zjarr janë ende të paqarta, ndërsa menjëherë autoritetet amerikane kanë nisur një hetim për zbardhjen e plotë të ngjarjes.