Mbi 160 prona të ndërmarrjeve shoqërore gjenden jashtë territorit të Kosovës, konkretisht në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Sipas një dokumenti të publikuar të enjten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit figuron se vetëm në territorin e Serbisë gjenden 99 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 35, në Bosnjë e Hercegovinë 15, në Maqedoni 7, në Kroaci 5 dhe në Slloveni 1 pronë.
Disa nga ndërmarrjet kosovare që kanë asete jashtë janë: “Jugoterm”, “Anamorava”, “Emin Duraku”, “Jatex”, “Beer Factory”, “MF Kosova”, “Marketing Export”, etj .
Po ashtu, AKP-ja ka publikuar edhe listën me asetet të “Trepçës” jashtë Kosovës, numri i të cilëve arrin në shtatëmbëdhjetë. Zyrtarë të AKP-së nuk kanë dhënë asnjë sqarim se çka ka ndodhur deri më tani me këto prona dhe se si do të veprohet me të njëjtat pas publikimit të listës.
Në anën tjetër Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri në Kuvendin e Kosovës, që njëherësh e mbikëqyr edhe punën e AKP-së, ka thënë se kjo çështje duhet të debatohet në Kuvendin e Kosovës