Ish-prokurorja, Vahide Badivuku, e cila po akuzohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka qarë teksa po e jepte fjalën përfundimtare, të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, shkruan “Koha Ditore”.
Ajo ka thënë se ky rast i është montuar dhe se nuk ka të bëjë asgjë me akuzat, që i janë ngritur prej Prokurorisë. “Prokurori gjatë tërë procedurës penale s’ka vërtetuar se kam kryer veprat penale me të cilat ngarkohem”, ka thënë ajo.
Këto fjalë Badivuku i ka thënë në seancë para se të shpallet aktgjykimi ndaj saj dhe dy të tjerëve, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli.
Këta të dy akuzohen se në bashkëpunim, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë ndikuar në vendimmarrje të ish-prokurores.