Nga Aleksandër Çipa
Pasi kam mbaruar pjesën më të madhe të librit “ Ditari i një kinoregjisori” të Endri Kekos, më është kujtuar një pohim i Borhesit, i cili thotë: “libri është një zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës”. Dhe vërtet, përmes këtij libri unë kam krijuar një perceptim tjetër për njeriun dhe artistin Endri Keko, por pse jo edhe për disa bashkëkohës të shquar të tij.
Ka dy gjëra të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme në këtë perceptim tjetër: sinqeriteti dhe përkushtimi në raportet vetiake me shoqërinë dhe vendin, si dhe mirënjohja.
Në këtë ditar që nuk është ditar, por një libër i cili profilon jo vetëm autorin por, në mënyrë të veçantë sjell thelb nga ajo kohë, bashkëkohësit dhe mentorët e autorit protagonist.
Endri Keko duke folur në pjesën e ditarit për mentorin e tij rus Ilia Kopalin flet për një mirënjohje njerëzore e cila ngrihet në nivelin më të lartë intelektual sepse nuk flet vetëm për aktin dhe procesin marrës – dhënës të mentorisë mes nxënësit ose studentit të vet, por flet për një marrëdhënie njerëzore që krijon dimensionin e njohjes së perimetrave të ndryshme shoqërore që ndanin mentorin në vendin ku ishte në perandorinë e atëhershme dhe studenti në një vend të vogël. Dhe për këtë arsye, në të premten e 1976-ës, kur ndërroi jetë Ilia Kopalin, në ditarin e vet Endri Keko jo vetëm që gjen një mënyrë të ngrohtë shkrimore për të adresuar mirënjohjen si një nga virtytet njerëzore të fisnikërisë vetiake që mbarte ai por, në mënyrë të veçantë sjell edhe përkufizimin e veçantë për mentorin e tij.
Aspekti i dytë i vlerësimit për këtë botim, ka të bëjë me mënyrën se si është ndërtuar libri. Në fakt është një mënyrë që mua më ka dhënë një leksion përsa i përket marrëdhënies aq komplekse që ka njeriu me kohët që jeton.
Dikur, im atë (Lefter Çipa), duke folur për kompleksin që kishim ne të pas viteve ’90 për kohën paraardhëse, të tij, më pat thënë:
“Sandër, njeriu bën vetëm një kohë. Të mirë apo të keqe, atë kohë bën. Dhe në atë kohë ai ka mundësinë të lerë vetëm një vepër. Ju, nëse do merrni përsipër të retushoni apo krijoni modelin ilustrues të kësaj kohe me logjikën dhe konjukturën tuaj, do të gaboni për vete sepse ne nuk na ndryshoni dot dhe aq më tepër kohën në të cilën ne lamë punën tonë”.
Pikërisht, duke lexuar këtë libër unë e kam rikthyer këtë epistolat i cili është shumë i rëndësishëm për marrëdhënien kontribuitive të një intelektuali me veprën e vet të cilën e le pamvarësisht nga kontekstet, konjukturat dhe aq më tepër sistemet politike.
Dhe, pjesa tjetër spikatëse në tekst që më duhet ta pohoj ka të bëjë me faktin që ky është një libër në të cilin sillet një profil i plotë i një intelektuali dhe kapaciteti të lartë kontribuesi në jetën shoqërore të vendit. Del dimensioni i tij si artist, po mbi të gjitha del portreti i luftëtarit të Luftës së dytë Botërore dhe këtë gjë duhet ta marrim në konsideratë.
Inspirueshëm në libër na shfaqet shpirti i tij, ai i një aktivisti shoqëror dhe jo vetëm politik, një shpirt që e kishte burimin e rëndësishëm të formimit dhe kontributit, si dhe tek lidhja gjenealogjike ashtu edhe tek mishërimi qytetar me fatin e kombit dhe shoqërisë.
Në këtë brendi, libri është strukturuar në një mënyrë të tillë atipike, përshtypje bërëse.
Kontributi i Endri Kekos nuk është thjesht i kinoregjisor, pastaj si skenarist, si publicist etj. Madje. meqenëse jam në fushën time, tek publicistika, më duhet ta them që kontributi i tij në publicistikën shqiptare ka të bëjë jo thjesht me disa cikle shkrimesh, artikujsh, por me disa lëmi. Ka materiale shkrimore që lidhen me memorialistikën, ka artikuj që lidhen me artin dhe kryesisht formën estetike të servirjes së tij, me marrëdhënien që ka arti me kontributin dhe aktualitetin shoqëror. Ndërkohë që pjesa sipas meje, që evidentohet aq qenësishëm tek ky libër, ka të bëjë me kontributin e tij si një nga kontributorët e fototekës shqiptare. Në këtë libër gjen disa fotografi që janë autentike dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ciklin e fotografive nga dhe me Lasgush Poradecin, por edhe për emra dhe personazhe të njohur ndër gjeneratat njerëzore të shekullit të shkuar.
Për këtë botim të sjellë, dua të them një lëvdim që duhet t’ja bëj mikut tim të shtrenjtë Ilir Keko.
Eshtë e vërtetë e mishëruar se familja Keko të krijon një koncept autentik për ekzistencën e dinastisë. Të gjithë pjestarët e kësaj familjeje janë të një kontributi me rezonim gjithë kombëtar dhe më shumë se aq, në fusha të ndryshme të artit dhe të komunikimit…
Dhe për të realizuar në memorialistikën familjare një shërbim të tillë me disa libra të pakrahasueshëm ( nga Xhanfize, tek Dori dhe së fundi Endri Keko), nevoitet jo vetëm një kulturë por kryesisht njohja e posaçme dhe rigoroze si ajo që ka Ilir Keko për të vetët. Ajo që e shquan këtë punë të bekueshme të tij, ndër të tjera, ka lidhje jo vetëm me tipologjinë por në mënyrë të veçantë, me respektimin skrupuloz të parimit të arkivizmit familjar.