Nga Artur Ajazi
Në një kohë kur vendi po kalon ditë të nxehta vere, me temperatura mbi 40 gradë, në një kohë kur shqiptarët kanë 1001 halle, probleme, po merren me të korrurat, të mbjellat, provimet e maturës, notat mesatare, në një kohë kur bota po “zjen” nga luftrat në Europë e kudo tjetër, a ja vlen të merresh me një parti shkatarraqe ?
A ja vlen të merresh me një forcë politike “vetëvrasëse”, që nuk i interesojnë hallet e shqipëtarëve, rritja e rrogave dhe pensioneve, integrimi vendit në BE, rendi dhe siguria për qytetarët ? A ja vlen që për interesat e një grushti njerëzish, apo të një njeriu të vetëm, të dalësh mes Tiranës dhe veç vapës me mbi 40 gradë, të djegësh goma, të hedhësh molotovë mbi institucionet dhe policinë ? A ja vlen që për “hatërin” e një njeriu që na paskësh qenë “themeluesi i demokracisë në Shqipëri”, të digjen fatet e mijëra e mijëra shqipëtarëve që aspirojnë për arsimim, punësim, rend dhe siguri, për progres dhe të drejta më të mëdha jetësore ? A ja vlen që për fatin e një njeriu të vetëm, që e ka zgjedhur tanimë “fatin e tij politik”, të mblidhen çdo pasdite poshtë ballkonit të tij, të prishin qetësinë e krejt lagjes, dhe të shqetësojnë strukturat e policisë, orar pa orar ? A ja vlen që çdo ditë të merren mediat, apo dhe ambasadat me deklaratat e një njeriu të vetëm, që ka futur gjithë dynjanë në telashe për hallin e tij ? A ja vlen që qeveria, ministritë e saj, organet e drejtësisë, apo dhe ndonjë ambassador i huaj, të merret dhe ti japë “xhevap” njeriut , i cili, do të ishte shpallur “shenjtor lirie” , në rast se do të ishte tërhequr, për të mos u kthyer më në politikën aktive ? A ja vlen që të sakrifikohet një parti politike, e cila u krijua si grupim idealistësh nga studentët e Dhjetorit ’90, për fatin e një njeriu që e ka mbushur kohën fizike për të qenë në pension ? A ja vlen që në 2024, plot 34 vjet pas rënies së sistemit komunist, të merremi me biografinë e njëri-tjetrit, dhe të shajmë akuzojmë, dhe shigjetojmë ashpër njëri-tjetrin, për ndasitë politike, vetëm e vetëm sepse nuk mund ti hiqet “non-grata” kryetarit të përjetshëm ?
Mendoj se për këto dhe të gjitha faktet dhe hamendësitë e tjera, duhet të ketë një reagim ndryshe nga opinion publik, grupimet e interesit dhe krejt shoqëria, për të ndryshuar gjithçka lidhet me të përditshmen tonë. Kurrësesi nuk duhet të na rrëmbejnë pasionet e së shkuarës, dhe inatet e të tashmes politike.
Në demokraci, liria e fjalës, mendimit dhe e veprimit, lidhen me shkallën e formimit, shkollimit, dhe qytetërimit të çdo populli. Shqipëtarët janë shquar dhe vazhdojnë të jenë, popull me zgjuarsi natyrale, dhe kanë ditur gjithmonë të kenë dhe të ruajnë parime të kultivuara qytetarie.
Pas një tranzicioni të stërzgjatur, zgjedhjet e vitit 2025, patjetër do të vendosin të tjera balanca politike, sociale dhe shoqërore, ku natyrisht do të spikasë vota e hedhur për progresin dhe jo regresin, për vazhdimësinë e qeverisjes së duhur, duke i shërbyer interesit të shumicës së shqiptarëve, dhe aspak pakicës destruktive, që vazhdon të krijojë telashe, dhe pengesa në rrugëtimin euroatlantik të Shqipërisë.