“Fakti që rritemi çdo vit në Laprakë, i dedikohet punës së palodhur”. Kjo ishte deklarata e Drejtuesit Politik të PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj në takimin me strukturat e kësaj force në Njësinë 11. Veliaj tha se PS ka kurajon që t’i shohë njerëzit në sy, pasi është e vetmja forcë që mban fjalën e dhënë.
“Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar 100 e ca parti. Por, fakti se shumica e ndershme, punëtore, e drejtë, e palodhur e popullit, ka votuar PS, do të thotë se në një menu me 100 oferta, ka zgjedhur ofertën që i ngjan familjes së tij, punës së tij, djersës së tij, forcës dhe mundimit të tij. Ka ndryshuar rezultati ynë në Laprakë, në Njësinë 11. Ne kemi qenë 30%, pastaj 35%, pastaj 40%, pastaj 45%, mandej 50%. Sot jemi më të fortë se të gjithë të tjerët bashkë, se e mbajmë fjalën, i shohim njerëzit në sy. Kur kemi bërë ndonjë gabim themi më fal. Kur kemi bërë punë, përveshim mëngët për të bërë akoma më shumë punë. Kjo është politika! Të kesh mundësi të shohësh njerëzit në sy dhe të mbash fjalen, të kthehesh me krenari, në çdo shesh. Fakti që në Laprakë rritemi çdo vit i dedikohet punës së palodhur të atyre që për 33 vite e kanë mbajtur partinë me thonj, me mish e shpirt. Ja ku jemi sot fitimtarë!”, u shpreh ai.
Teksa falenderoi socialistët që ndër vite kanë kontribuar në zhvillimin e vendit, Veliaj solli në vëmendje kohët e vështira, kur qytetarët dhunoheshin nga SHIK-u i Berishës.
“Kemi bërë 5 shkolla, duhet të bëjmë të tjera; kemi bërë 50 rrugë, duhet të bëjmë të tjera. Por, ku do të ishim sot po të ishte dorëzuar ajo gjeneratë që e mbajti PS në ‘94-ën? Ku do ishim sot ishim sot nëse do të ishte dorëzuar gjenerata që e mbajti partinë në ‘96-ën në zgjedhjet locale? Po në ‘97-’98, me ato situata skandaloze, që për të bërë karrierë në Republikën e Shqipërisë duhet të rrëmbeje një socialist, siç u rrëmbye Remzi Hoxha? Të bëje karrierë duhet të rrihje një socialist, siç u rrah Edi Rama, Blendi Gonxhe, Servet Pëllumbi, Petro Koçi. Të bëje karrierë në shtet duhet të dhunoje dhe të derdhje gjak socialistësh, siç ndodhi në 21 Janar. Sot jemi këtu jo vetëm për të shkuar përpara, por për ta kthyer një minutë kokën pas, për të falenderuar ata që e mbajtën këtë parti në ditët tona më të vështira”, u shpreh Veliaj.
Ai solli në vëmendje se fitorja e Edi Ramës dhe PS në zgjedhjet e ardhshme ka një rëndësi të veçantë. “Ne nuk e kemi qejf, ose pasion, ose dëshirë. Ne e kemi mision historik, që në 2025-ën, Partia Socialiste të fitojë sërish, e të qeverisë vendin, e të transformojë këtë realitet si kurrë më parë. As nuk në kishte bërë vaki, që unë të kisha ankesa në Laprakë, se janë mbushur hotelet. S’më kishte ndodhur ndonjëherë në jetën time. Thashë: Të tilla halle paçim, se deri dje bëheshin plehrat mullar, deri dje vinte lumi tek shtëpia! Kishim probleme të botës së tretë, tani kemi probleme të botës së parë. Tani kemi probleme që, siç u bë ‘Isa Boletini’, ‘John Kennedy’, ‘Nënë Tereza’, ‘Vaçe Zela’, ‘Kristo Frashëri’, ‘Andrea Stefani’, të bëjmë edhe 6 shkolla të tjera. Sot janë ditët më të mira për Tiranën dhe Shqipërinë. Ne që jemi socialistë themi se ditët më të mira i kemi përpara. Ky vend, ky shtet, ky qytet, kjo lagje, më mirë se kaq s’ka qenë, por më mirë do behet falë PS. Çdo votë është përkthyer në punë, punë, punë!”, deklaroi Veliaj./m.j