Në emisionin “Kampionët” në Tv Klan ishte i ftuar në një lidhje live këtë të enjte ish-sulmuesi i kombëtares, Igli Tare. Duke komentuar sfidën Spanjë-Itali, ai u shpreh se u kënaq me fitoren e “Iberikëve”, por duke menduar cilësitë e tyre dhe përballjen me Shqipërinë, tha se ne duhet të jemi shumë pozitivë.
“Shpresoj që Spanja të lozë me skuadrën titullare, sepse po të lozë me zëvendësuesin do të kenë motivacion që e meritojnë dhe ata që të jenë titullarë. Ajo është skuadër që ka shumë kualitet”, tha Tare.
Por si duhet të qaset Shqipëria përballë Spanjës? Tare është i mendimit që kuqezinjtë të mos bëjnë ndeshjen që bënë përballë Italisë. Sipas tij, tifozët duhet të japin mbështetje maksimale siç kanë bërë deri në këto momente.
“Është e vështirë të lozësh kundër tyre sepse janë me shumë kualitet sepse të bëjnë të xhirosh bosh gjatë lojës. Ajo atmosfera që krijojnë tifozët tanë, entuziazmi që të arrish me një mundësi minimale ta kalosh këtë grup do ishte diçka që të gjithë do e dëshironim.
Është shumë e vështirë për një trajner. Dëshira ime është që kjo skuadër ka kualitet. Jo më kot e ka fituar grupin në kualifikuese, por mbi të gjitha nuk duhet të bëjë atë ndeshje që bëri me Italinë. Ajo që e karakterizon këtë skuadër është shpirti luftarak. Aty ku mungon kualiteti është shpirti. Kjo bëhet kur skuadra është e bashkuar, trajneri është ai që bën diferencën. Ne duhet të jemi mbështetës për të, kritikë, aq sa është e mundur, por që kjo skuadër dhe ky trajner ka nevojë të hënën të jetë në të njëjtin situatë siç ishte në Hamburg”, tha Tare.
/a.r