Partia Agrare Ambientaliste ka shprehur shqetësimet në lidhje me zvarritjen e reformës zgjedhore. Në një deklaratë për media, kreu i PAA i bën thirrje PS dhe PD për reformimin e ligjit zgjedhor.
Po ashtu, PAA i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të ushtrojnë ndikimin për të demokratizuar ligjin zgjedhor, pasi nga standarti i këtij ligji do të varen edhe zgjedhjet.
“PAA është seriozisht e shqetësuar për zvarritjen, pa arsye dhe shumë të dëmshme, që i bëhet reformimit të sistemit zgjedhor. Pas dështimit të turpshëm të Komisonit të Posaçëm të Reformës, i cili nuk arriti të ndryshonte asnjë edhe një presje në tre vjet jetë, sot një tjetër komision, i njohur si Grupi i Dialogut, krijuar si një përpjekje për të vijuar punën e komisionit të mëparshëm, po bën të njëjtën gjë.
Ne i bëjmë thirrje dy partive që mbajnë edhe kryesimin e këtij komisioni, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, që të bëjnë hapa para dhe urgjente për të kapur afatet kushtetuese.
Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ushtrojë ndikim e tij për të demokratizuar ligjin zgjedhor, pa pritur minutat e fundit.
Nga ligji zgjedhor do të varet standardi i zgjedhjeve. Ligji aktual është bërë për ti garantuar mbështetje atij që ka pushtetin dhe për të ndëshkuar të tjerët”, thuhet në njoftim.
/a.r