Bashkimi Europian është shprehur kundër deklaratave të fundit të bëra nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi për heqjen e masave shtrënguese të BE. Zëdhënësi Peter Stano në përgjigjen për gazetarët tha se heqja ose jo e masave nuk është diskutuar dhe se nuk pranon që të ketë spekulime nga aktorë të tretë.
“Heqja ose jo e masave shtrënguese nga Bashkimi Europian për Kosovën është një çështje, e cila i përket Përfaqësuesit të Lartë dhe unionit. Deri tani asgjë nuk është marrë në shqyrtim. Kjo është një çështje instituive mes BE-së dhe përfaqësuesit të lartë. Nuk duam dikë nga jashtë që të spekulojë për temën, për kohën apo fatet e heqjes së masave shtrënguese të BE ndaj Kosovës. Ajo do të bëhet në kohën e duhur dhe më të përshtatshme për BE dhe Përfaqësuesin e Lartë. Në fillim do të jetë përmbajtja e çështjes dhe më pas do të diskutohet nga vendet e BE. Por koha se si dhe kur do të ndodhë do ti bëhet e qartë përfaqësuesve të Kosovës dhe cilat do të jenë rezultatet. Nuk ka pse të ketë spekulime nga aktorë të ndryshëm politikë.
Ndërkohë për zhvillimet e fundit në veri jemi shumë të shqetësuar. Muajt dhe kohët e fundit kemi parë veprime unilaterale të njëanshme të cilat çojnë në përshkallëzim të ri. Përshkallëzimi në veri ishte arsyeja se pse BE vendosi masa shtrënguese. Presim nga autoritete e Prishtinës që të zbatojnë detyrimet e tyre për uljen e tensioneve por në të njëjtën kohë këtë gjë e presim edhe nga autoritete e Serbisë. Të dyja palët kanë obligime dhe detyrime për të mos u bërë shkak për ndonjë përshkallëzim tjetër. Por nëse vijohet me përshkallëzim shtesë, ju them se BE do të dalë me masa më të rrepta dhe jo vetëm me deklarata”, tha Stano./m.j