Ish-kryeministri Sali Berisha mund të shpresonte shumë, por Britania e Madhe sërish ia konfirmoi njollën e zezë, atë të “non grata-s”.
Në korrik të 2022, Home Office e shpalli Berishën non grata, për lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe për korrupsion.
Berisha kishte apeluar këtë vendim në Britani të Madhe, por Komisioni Special i Apeleve të Emigracionit në Londër, këtë të hënë ka dhënë vendimin se ish-kryeministri nuk mund të kalojë La Manshin për pasojë nuk mund të shkelë në ishull.
Juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në “Special Report”, tha se Gjykata në Londër me vendimin e saj rikonfirmoi lidhjet e Berishës me krimin.
“Gjykata e Londrës konfirmoi lidhjet e tij me krimin. Parisi është harruar nga Berisha dhe nuk e përmend, dhe këtë që e trumbetojë dhe tani që i plasi bomba në dorë, fillon dhe e sulmon”, tha ajo
Ajo komentoi deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila u shpreh se nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim për non gratat, duke marrë një goditje tjetër, pak ditë pasi Apeli i dha vulën e PD Berishës.
“Kjo lloj deklaratë e SHBA dhe vendimin e Britanisë së Madhe rikonfirmoi se Berisha është një “non grata” me kurajën e SHBA dhe Britanisë së Madhe”, tha ajo.
Duke komentuar veprimtarinë Bashës dhe betejën e humbur për vulën e Partisë Demokratike, Gjikondi tha se pavarësisht veprimeve që mund të ndërmarrë, Basha është peng i të shkuarës së tij politike.
“Basha është një qenie apatike. Ai është mësuar t’ia hedhë me procedurë. Ai ka qenë pjesë e gjësë, dhe nuk mori pjesë në gjyq. Dukej teatër me tre aktorë. Basha mund të krijojë parti të re, por ai është “pjellë” e Berishës. Ai nuk krijon dot frymë, kohën e kishte, por frymën nuk e bën. Ai është peng i së shkuarës së tij”, theksoi ajo./m.j