Vendimi i Apelit për të kaluar vulën e Partisë Demokratike në duart e Sali Berishës, i cili krahas peshës së non gratës, ndodhet në arrest shtëpie prej 6 muajsh për korrupsion, ka futur në dilemë grupin që mbështet Lulzim Bashën: nëse duhet t’i bashkohen PD-së apo të përkrahin projektin e ri të demokratëve euro-atlantikë të ish-kryetarit, imazhin e të cilit tashmë e gjen edhe në zyrat me qira të tij, me një sklogan të ri, “Shqipëria meriton më shumë”
Për Endri Hasën, që deri javën e shkuar mbante postin e anëtarit të Kryesisë së Bashës, grupi i demokratëve euro-atlantikë ka bazat e një lëvizje të re politike.
“Ne kemi një strukturë të qartë në të gjithë vendin, një identitet të qartë politik, një vizion dhe një program alternative. Përtej të gjitha diskutimeve, një gjë është e qartë, do jemi me alternativën tonë, programin tonë, të demokratëve euro-atlantikë, larg dinozaurëve 34 -vjeçarë politikë”, thotë Hasa për Report Tv.
Beteja në emër të këtyre parimeve, për Hasën, është arsye e fortë për t’i thënë jo ftesës për bashkim, në Partinë Demokratike e drejtuar tashmë nga Sali Berisha.
“Ajo që ishte dikur PD e para 9 shtatorit është ndarë me kohë, nëse është partia e tyre, nuk është partia ime. Nuk ekzistojnë bashkime mekanike, vizionet tona janë totalisht të ndara, ne nuk jemi për PD e bunkerizimit dhe e non gratave”, thekson Endri Hasa.
Por, të tjerë demokratë deri dje të rreshtuar me Lulzim Bashën, zgjidhjen e shohin te strehimi në PD, si mendim ndryshe, dhe jo te një parti e re.
Deputeti Kreshnik Çollaku shkruan se grupi Basha duhet të gjejë mundësinë e bashkëjetesës në PD, tashmë të drejtuar nga Berisha.
“Unë besoj se ne PD duhet te gjejnë mundësi bashkekzistence dhe ata qe mbështesin një kryetar dhe ata qe e kundërshtojnë një kryetar. Unë mendoj se kundërshtia ndaj një kryetari nuk mund te kthehet ne kundërvënie ndaj PD. Për të zhvilluar dhe fuqizuar PD, dialogu ,debati dhe përballja duhet te ndodhe me dinjitet brenda PD, jo duke e braktisur PD”, shkroi Çollaku.
Nga ana tjetër, ftesa e PD për grupin e demokratëve euroatlantikë është ende në fuqi. Madje tonet janë zbutur dhe në radhët e demokratëve ka nisur të artikulohet ftesa e drejtpërdrejtë për ish kryetarin Basha.
“Unë kam qenë gjithmonë për bashkim, i çdo kontributi. PD është e bashkuar, të gjithë ata që mendojnë ndryshe janë të ftuar t’i bashkohen. Sot PD ka flamurin e vet dhe duhet të bashkohemi rreth këtij flamuri. Çdo artikulim tjetër nuk i shërben PD-së”, thotë Dhurata Çupi.
Gjykata e Apelit vendosi një javë më parë, ta kalojë vulën e PD nga Lulzim Basha te Berisha, ndërsa krahas projektit të ri politik, ish-kryedemokrati ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë.
“Sa i takon ankimimit, më duket qesharake”, komenton Çupi./m.j