Koret raciste të tifozëve serbë dhe shpalosja e flamurit të Kosovës së pikturuar me ngjyrat e atij serb dhe me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim” janë të papapranueshme për Federatën e Futbollit në Kosovë.
Skenat e djeshme në Veltins-Arena, teksa Serbia u mund me 1 gol të Jude Bellingham nga Anglia kanë bërë FFK që të reagojë dhe zyrtarisht.
FFK i ka kërkuar UEFA-s që ndaj Federatës Serbe të Futbollit të merren masa të ashpra disiplinore pasi tifozët e tyre shfaqën slogane të papranueshme dhe thirrjet që i shoqëronin kishin mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës.
FFK-ja ka kërkuar që ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, të merren masa të ashpra disiplinore.
“Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si EURO 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjve të saj. Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit”, është thënë mes tjerash në deklaratë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Reagimi i plotë i FFK:
Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se ka reaguar zyrtarisht në UEFA për shkak të shfaqjes së flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës, gjatë ndeshjes Serbi – Angli, në kuadër të Euro 2024.
Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si Euro 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjve të saj.
FFK në ankesën e paraqitur me dëshmitë e nevojshme në UEFA, ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, si recidiviste e rasteve të tilla.
Njëkohësisht, kërkojmë vigjilencë nga organizatori për të evituar shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-së.
Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit.
Federata e Futbollit të Kosovës qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: unitet, gjithpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit, por njëherësh me vendosmëri mbron edhe dinjitetin e shtetit, që është krijuar me shumë mund e sakrificë.I bëjmë thirrje UEFA-së që persona me sjellje dhe filozofi të urrejtjes ndaj një populli dhe shteti tjetër të mos kenë vend në arenat e futbollit.
Futbolli dhe eventet e tilla si Euro 2024 nuk duhet t’u shërbejnë shovinistëve e racistëve për promovim të gjuhës së urrejtjes.