Aureli është vetëm 20 vjeç, por ka parë e përjetuar gjëra përtej moshës së re. Ai vjen nga Gjermania në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të rrëfyer historinë e gruas që i dha jetë. Nëna e Aurelit ka kaluar shumë sfida që prej fëmijërisë, të cilat ai nis t’i tregojë një e nga një për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Në moshën 6-vjeçare, ajo humbi nënën e saj dhe babai u rimartua. Nëna dhe tezja e Aurelit jetonin me ta, por marrëdhëniet nuk ishin aspak të mira. Në një moment, nëna e tij vendosi ta merrte vetë jetën në dorë.
Aurel: Kur mbushi 12 vjeçe, kur shkonte në dyqan apo që dilte jashtë, babai im e shikonte dhe rrinte duke e ngacmuar.
Ardit Gjebrea: Që 12 vjeç?
Aurel: Që 12 vjeçe, po. Babai im mund të ketë qenë 16-17, nuk e di tamam dhe e ngacmonte. Mamaja shikonte njerëz të tjerë aty në lagje që po martoheshin, merrnin dhurata, i dukej sikur ishte një gjë e bukur. Komshiu që rrinte afër mamit i jepte letrat që i shkruante babi dhe ajo i tha që ‘nëse më do, eja më merr nesër në mëngjes’. Ngaqë nuk shkonte shumë mirë me njerkën, donte vetëm të largohej.
Bashkëjetesa e nënës së Aurelit kur ishte vetëm 12 vjeçe u mor vesh shumë shpejt. Jo vetëm kaq, por në moshën 13-vjeçare mbeti shtatzënë e një vit më vonë, u bë nëna e një vajze. Në moshën 15-vjeçare, erdhi në jetë edhe Aureli.
Ndonëse ajo kishte shpresuar se me ikjen nga shtëpia do të gjente qetësi, nuk ndodhi kështu. Aureli thotë se nuk do ta falë kurrë babanë e tij për gjithçka u ka bërë, edhe pse sot kanë një marrëdhënie të mirë.
Aurel: Qëkur e ka marrë, jeta e saj u kthye edhe më në ferr, u bë edhe më keq. Familjarët ishin të mirë, me ta shkonte mirë, por me babin nuk shkonte shumë mirë. Ai e keqtrajtonte shumë. Unë sot flas akoma me babin, e dua shumë, e respektoj, e kam baba, por gjërat që i ka bërë nënës time dhe familjes nuk mund t’ia fal asnjëherë.
Ardit Gjebrea: Çfarë i bënte mamit?
Aurel: Shumë gjëra. Unë kam qenë i vogël atëherë dhe nuk i mbaj mend shumë, por një gjë që mbaj mend ishte që mami po hante bukë dhe ai e rrahu në syrin tim.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe?
Aurel: Mund të kem qenë 5-6 vjeç.
Ardit Gjebrea: Tani që je rritur, çfarë tregon mami për ato momente se ti ishe i vogël?
Aurel: Ajo nuk ka dëshirë të më tregojë asgjë.
Ardit Gjebrea: Ah, nuk do të të tregojë.
Aurel: Nuk do sepse nuk do që ta urrej babin tim.
Ardit Gjebrea: Sa kohë zgjati kjo bashkëjetesë?
Aurel: 12 vite, vetëm se ishim unë e motra në mes.
Ardit Gjebrea: Kishte ndonjë motiv që babi nuk sillej mirë me mamin?
Aurel: Motivi i tij ishte vetëm se pinte shumë, luante bixhoz, largohej nga shtëpia me muaj.
Ardit Gjebrea: Kush kujdesej për ju?
Aurel: Mami.
Ardit Gjebrea: Në cilin moment mami vendosi të divorcohej nga babi?
Aurel: Kur na erdhi mundësia për të ikur në Itali.
Nëna e Aurelit shkoi në Itali dhe përpiqej të punonte, ndërsa fëmijët qëndronin te motra e saj. Kjo situatë vazhdoi për 8 muaj dhe ndonëse fëmijët ndiheshin mirë, nëna përjetonte të kundërtën për shkak se motra kishte familjen e saj.
Më pas, vendosën të shkonin në Gjermani ku kërkuan azil. Për 4 muaj, u rraskapitën nëpër kampe me kushte të vështira dhe ajo i pyeste vazhdimisht nëse donin të ktheheshin pranë të atit, por Aureli shprehet se refuzonin vetëm që nëna mos të kalonte sërish në të njëjtin kalvar që e dinin se e priste.
/a.r