Nga Skënder Minxhozi/
Dy momentet që përmbledh titulli i këtij shkrimi ishin dhe janë dy pengesat madhore procedurale që e ndajnë Partinë Demokratike nga pozita e një force politike normale. Sherri për vulën u zgjidh me kartonat e drejtësisë “së kapur nga Edi Rama”, kurse rikthimi në pushtet vijon të mbetet një iluzion optik i pakapshëm.
Rimarrja nga Lulzim Basha e simboleve partike përbën një fitore politike për Sali Berishën. Një triumf tjetër i tij brenda gardhit të partisë, aty ku përjetësisht është imponuar me dorë të fortë dhe zë të lartë. Sali Berisha provoi se mund ta kontrollojë dhe dominojë Lulzim Bashën edhe në distancë, i mbyllur në shtëpi në katin e tetë, por edhe në moshën 80 vjeçare kur shumë shqiptarë presin që ai të hapë më në fund rrugën drejt Shqipërisë normale, jashtë zinxhirëve të tranzicionit 33 vjeçar.
Duke rimarrë vulën, Rithemelimi zgjidhi të paktën në letër problemin e fragmentimit dhe përçarjes. Zgjidhi edhe temën delikate të paraqitjes në zgjedhje me simbolet zyrtare, pa pasur nevojë të futet sërish në strehën e Ilir Metës. Meqë ra fjala, e patë sa i mërzitur ishte ish-presidenti që bënte sikur uronte Doktorin për vulën?! Sikur të donte t’i jepte hov me atë pamje të mërzitur fjalëve se ishte bërë gati t’i kërkonte Berishës gjysmën e listës së kandidatëve në këmbim të garimit së bashku në zgjedhje nën stemën e Partisë së Lirisë.
Beteja e fituar e vulës është edhe një herë më tepër beteja e fituar brenda sinoreve të opozitës, jo fitore mbi qeverinë dhe Edi Ramën. Si e tillë ajo është një fitore e pjesshme dhe me gjasë e panevojshme. Sepse kush e ka ndjekur politikën shqiptare të dy viteve të fundit, ka parë sesi sokëllinte Sali Berisha nëpër Foltore, mitingje e Parlament dhe në anën tjetër sesi heshtte Lulzim Basha me vulë e stemë partie në xhep. Sjellja “me xhiro të ulura” e kryetarit deri dje zyrtar të PD është njëri ndër misteret politike që rrethon opozitën pas vitit 2022, e që tregon se raporti Berisha-Basha nuk ka qenë vetëm ajo çka kemi parë në ekrane dhe lexuar në gazeta e portale. Heshtja e Lulzim Bashës, tërheqja e tij kokëfortë në hije ndërkohë që i takonte të fliste e madje të bërtiste, është një aspekt i errët i marrëdhënies së tij me Berishën e ndoshta është edhe arsyeja madhore se përse kemi sot këtë situatë brenda Partisë Demokratike.
Sali Berisha mund të ulet i qetë në poltronin e shtëpisë së tij e të fillojë të mendojë për listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Është një moment kënaqësie që krerët politikë shqiptarë e shijojnë deri në perversitet teksa shohin servilët e të gjitha ngjyrave, ose “çingijet” siç i quan Edi Rama, të vijnë rrotull për të kapur ndonjë copë pushteti.
Me vulën në xhep Sali Berisha zgjidhi problemin e tij personal, por shtyu në kalenda zgjidhjen e problemit madhor të të gjithë opozitës. Sepse vulat dhe stemat janë vetëm një hall dekorativ për një grupim që zgjedh të ndjekë një figurë politike të tejkonsumuar dhe pa asnjë garanci fitoreje pas 11 vjetësh qëndrimi në opozitë.
Nëse për të fituar mbi Edi Ramën do të mjaftonin një flamur blu dhe një stemë në jakën e xhaketës, gjithçka do të ishte më e lehtë. Por ja që çeshtja e pushtetit në Shqipëri kalon sot vetëm përmes largimit me votë të një maxhorance që nuk jep asnjë shenjë tërheqjeje nga pushteti. Dhe shifrat që pasqyrojnë pëlqyeshmëritë e shqiptarëve konfirmojnë të njëjtën tendencë.
Duke ndjekur Berishën (me ose pa vulë), demokratët po shtyjnë çeshtjen e rotacionit të kokë të partisë, e lidhur kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë me rikthimin në pushtet. Sali Berisha nuk fiton dot më asnjë palë zgjedhje. Ai ofron vetëm spektakël të Rrugica, fjalor të vrazhdtë dhe kërcënime që nuk trembin askënd. Duke mbajtur Berishën, tashmë edhe në emër të vulës së partisë, demokratët po tregohen të verbër dhe dritëshkurtër. Teksa ju duhet një lider i ri partie, me vizion dhe qasje krejt të ndryshme ndaj të sotmes dhe të ardhmes, PD aktuale është kapur fort pas kostumit të një njeriu që mund të ofrojë vetëm nostalgjinë e fitores, jo vetë fitoren. Berisha e arriti objektivin e vet politik: t’i mbajë të gjithë në rresht dhe t’i kungojë sa herë që i ulen në gjunjë. Çeshtja është se duhet kapur një tjetër objektiv, duhet rikthimi në pushtet. Dhe këtu formula Berisha të çon të sigurt drejt humbjes. Kriza e vulës u zgjidh, çeshtja e pushtetit jo!
Je perfekt në analizën Tënde,i dashur,mik Minxhozi.Faleminderit dhe Gëzuar Kurban Bajramin