Gjermania, mbështetëse e madhe e Kosovës, duket se ka edhe rezerva ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për finalizimin e shpronësimit të mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.
Për ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kjo lëvizje nuk u bë në përputhje me ligjin sipas një raporti të juristëve eminentë të Këshillit të Evropës.
“Pas reagimit të Qeverisë së Kosovës ndaj deklaratës së QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së për shpronësimin, më lejoni ta citoj raportin e juristëve eminentë të KiE-së: ‘Kjo mënyrë e veprimit nuk është në përputhje me sundimin e ligjit dhe me gjasë do ta minojë edhe më shumë besimin mes komunitetit serb dhe institucioneve qeveritare të Kosovës”, shkroi Rohde në rrjetin social X, duke përmendur pikërisht KiE-n, të cilës Kosova tentoi t’i bashkohej në muajin maj. Ditë më parë, qeveria e Kosovës doli me një vendim përfundimtar për shpronësimin e tokave në Leposaviç dhe Zubin Potok, i cili përjashtonte disa parcela private vetëm të atyre qytetarëve që e kanë fituar procesin në gjykatë.
Ekzekutivi kosovar u përgjigj duke theksuar se deklarata e tyre e përbashkët “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”, dhe se Qeveria e kishte pritur vendimmarrjen e gjykatave para se të vazhdonte me vendimin përfundimtar./m.j