Një platformë e re për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e përzgjedhjes së deputetëve socialistë në zgjedhjet e ardhshme. Këtë njoftoi kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku u fokusua te Kongresi i 20 Korrikut. Pa dhënë shumë detaje, Rama tha se platforma do të jetë e ngjashme me atë të zgjedhjeve të shkuara, por më e gjerë.
“Në Kongres do të paraqesim edhe platformën e re të përzgjedhjes së deputetëve të Partisë Socialiste. Duke nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të shkuara ku ne krijuam një platformë digjitale të quajtur deputeti që duam dhe mblodhëm një numër jo të vogël shprehjesh interesi për t’u bërë pjesë e procesit. Disa nga të rinjtë që u paraqitën në atë platformë u bënë pjesë e listave zgjedhore por për zgjedhjet e ardhshme, platforma do të jetë më e gjerë dhe do të shohë një proces më të artikuluar dhe është mirë t’i japim kohën e nevojshme deri në kohën kur do të bëhet edhe përzgjedhja përfundimtare”.
Sipas Ramës, Kongresi do të trajtojë gjendjen e përgjithshme në vend dhe punën për mandatit të katërt në funksion të Shqipërisë 2030.
“Përtej zgjedhjes së Asamblesë së re kombëtare, kongresi do të duhet të trajtojë edhe një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme në vend, duke projektuar punën për programin e mandatit të katërt në funksion të vizionit Shqipëria 2030. Për këtë do të angazhohet një grup i veçantë, por në Kongres do të bëhet një pasqyrë përmbledhëse e gjendjes në raport me Shqipërinë 2030, ku jemi dhe ku do të mbërrijmë”.
/a.r