Versioni i fundit i sistemit operativ të Microsoftit, Windows 10 ka arritur 270 milionë përdorues aktivë, tetë muaj pas lansimit të ri, ka treguar kjo kompani softuerike që është më e madhja në botë, transmeton koha.net.
Ky numër u prezantua nga drejtori ekzekutiv Terry Myerson, në mbledhjen vjetore të Microsoftit për zhvilluesit në San Francisko. Myerson kishte thënë para lansimit të tij, se ata synonin 1 miliard përdorues brenda pak viteve të Windows 10.
Ai nuk ka treguar se për çfarë pajisje me Windows 10 përdoret më shumë.
Microsoft dominon në tregun e kompjuterëve personalë, bën pjesë edhe në tregun e smartfonëve, por jo në përqindje të madhe. Kompania e hulumtimeve teknologjike IDC ka parashikuar se smartfonët me Windows janë vetëm 1.6 për qind në tregun global gjatë këtij viti, ndërsa 83 për qind me sistemin operativ Android, dhe 15 për qind me iOS.