Europianët në 21 vende të BE, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, u drejtohen sot qendrave të votimit në ditën e katërt dhe të fundit të zgjedhjeve për Parlamentit Europian, që pritet ta orientojnë Asamblenë drejt të së djathtës dhe të rrisin ndjeshëm numrat e nacionalistëve euroskeptikë.
Zgjedhjet do të përcaktojnë se si Bashkimi Europian, një bllok prej 450 milion qytetarësh do të përballet me sfidat e shumta, përfshirë Rusinë gjithmonë e më armiqësore, rivalitetin industrial nga Kina dhe SHBA, ndryshimet klimatike dhe emigracioni.
Zgjedhjet nisën të enjten në Holandë dhe në vende të tjera të premten dhe të shtunën, por pjesa më e madhe e votuesve europianë, po shprehin vullnetin e tyre të dielën, ndërsa Italia mban sot një ditë të dytë votimi.
Parlamenti Europian ka thënë se do të publikojë një eksit poll pas orës 20 e 30, ndërsa rezultatet e para fillestare priten pas orës 23. Sondazhet parashikojnë se liberalët pro-europianë dhe të gjelbrit do të humbasin vende, duke tkurrur shumicën e qendrës së djathtë e qendrës së majtë, e duke ndërlikuar përpjekjet për të shtyrë përpara ligjet e reja të BE apo zgjerimin e Bllokut.
Shumë prej votuesve të prekur rëndë nga kostot e jetesës, janë të shqetësuar lidhur me emigracionin dhe koston e tranzicionit të gjelbër, e po ashtu nga rritjet e tensioneve gjeopolitike. Partitë e ekstremit të djathtë po e shfrytëzojnë pakënaqësinë e përgjithshme duke i ofruar elektoratit një alternativë ndaj partive mainstream.
Nacionalistët e djathtë tëmarin lë pen prijnë në sondazhe përballë partisë së Macron në Francë, e po ashtu në Itali, Fratelli D’italia e Georgia Melonit, ajo e Lirisë në Austri dhe partia e Gert Vilders në Holandë, janë favorite.
Votimi u shënua edhe nga incidente e sulme të dhunshme, ku në Gjermani janë shënjestruar politikanë e aktivistë.
/a.r