16 përfaqësues të Policisë së Shtetit prej kësaj të shtune do të jenë në Gjermani, për t’u kujdesur për sigurinë e kombëtares shqiptare gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Europian.
Benard Muça, shefi i seksionit për rendin në komisariatin numër 2 në Tiranë, është njëri prej tyre.
Për Tv Klan ai tregon se në 9 vite karrierë në Policinë e Shtetit, kjo është diçka e re për të.
“Për mua kjo është një eksperiencë e re, është një sfidë e re në lidhje me një kompeticion aq të madh saç është Euro 2024. Punonjësit e policisë që do të marrin pjesë në Euro 2024 janë punonjës të certifikuar, të kualifikuar në lidhje me aktivitetet masive”, tha ai.
Por cilat janë detyrat që i janë ngarkuar 16 përfaqësuesve të policisë?
“Bashkëveprimi me policinë gjermane, vendosja e shërbimeve. Ka më shumë tifozë shqiptarë, kryesisht në terrene, aeroporte, sheshet kryesore, apo dhe gjatë futjes brenda në stadium”, tha Muça.
“Me listën ne do të bashkëveprojmë me autoritetet gjermane në lidhje me personat që kanë tendencë për të krijuar trazira apo incidente të ndryshme brenda stadiumit apo jashtë”, tha Muça.
Përfshirja e uniformave blu në kompeticionin më të rëndësishëm europian për kombëtaret, u dakordësua 3 muaj më parë përmes një marrëveshje të arritur mes policisë shqiptare dhe asaj federale gjermane./m.j