Megjithëse ka ende kohë deri në netët finale të festivalit evropian, si çdo vit tjetër edhe kësaj radhe votimet online kanë filluar që tani. Kënga përfaqësuese e Shqipërisë deri më tani duket të jetë jo shumë e pëlqyer nga publiku evropian, pasi radhitet shumë poshtë me votat e tyre online.
Kënga “Fairytale” në sajtin e basteve “Oddschecker” radhitet e 39-ta. Në “Wiwibloggs”, blogun më popullor të festivalit , Eneda del e 17-ta në natën e dytë, ndërsa në “Eurovision World” e 38-ta. Më së keqi Shqipërinë e vlerëson sondazhi i “Oikotimes” duke e renditur të parafundit me një numër shumë të vogël të votave.
Kujtojmë se ndryshe nga vitet e kaluara, këngëtarja dhe kënga përfaqësuese e Shqipërisë këtë vit nuk po merr as përkrahjen e publikut shqiptar, duke u cilësuar si një nga këngët më të dobëta që nga fillimi i pjesëmarrjes në Eurovizion.