Nga Artur Ajazi
E ndërsa opozita rithemeluese, digjte goma dhe shtynte uniformat blu për të hyrë në Parlament, Edi Rama jepte sihariqin se “përfundoi njëri krah i aksit rrugor të Korridorit Tetë, Elbasan-Qafë –Thanë”. E ndërsa opozita hidhte shashka dhe molotovë para derës së bashkisë së Tiranës, Edi Rama, jepte lajmin e shumëpritur nga gjithë shqiptarët, për përfundimin e punimeve në tunelin e Llogarasë”. E ndërsa opozita bllokonte foltoren në parlament dhe pasdite dilte në rrugicën e “Shpresës”…
Edi Rama dha lajmin e mirë se “po përfundojnë punimet në Unazën e Madhe të Tiranës”. E ndërsa Sali Berisha thotë se “qeveria shqiptare po braktiset nga shqiptarët dhe nderkombëtarët”, vjen lajmi i mirë se në Tiranë do të mblidhen nga Bashkimi Europian përfaqësuesit e 27 vendeve për të diskutuar mbi Integrimin e Ballkanit Perëndimor”. E ndërsa opozita premton bllokim të bulevardit dhe punimeve të Parlamentit, Edi Rama jep lajmin e mirë se “Shqipëria renditet ndër 5 destinacionet kryesore turistike në botë”. Etj..etj….
Pra kemi dhunën, dhe punën. Kemi nga njëra anë, dikë dhe disa që duan dhunën, zjarrin dyerve të institucioneve, dhe shumicën që punon, nderton, inaguron, investon. Kemi një pakicë që nuk mendon për asgjë tjetër, veçse për molotovin dhe rrëzimin me dhunë të qeverisë, bashkisë, kryeministrit, dhe nga ana tjetër një shumicë që bashkëpunon me faktorin e brëndshëm (veç Rithemelimit) dhe faktorin ndërkombëtar për të lartësuar emrin e nderin e vendit dhe shqipëtarëve.
Kemi një pakicë politike, që humbet zgjedhjet çdo 4 vjet, pastaj ngrihet në protesta duke mos gjetur “derman”, dhe një shumicë popullore që voton njerëzit e punës, fjalëmbajturit, premtimbajturit, dhe ata që nuk merren me “cic-mice” në Parlament, keshilla bashkiake, apo tryeza të tjera ku mblidhet politika. Hajde tani “të kam rixha”, thuaj, ç’të zgjedhë populli, punën apo dhunën?
Jemi në 2024, dhe të mendosh se me dhunë, mund të zgjidhësh gjë, është idiotësi. Vota dhe asgjë tjetër të çon drejt marrjes së pushtetit. Puna dhe asgjë tjetër, të bën dinjitoz dhe legjitim, ta mbash gjatë pushtetin. Le të zgjedhin shqipëtarët, kë do të votojnë.