Ish-eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Dr. Anthony Fauci përpara panelit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA ka mohuar fuqimisht teorinë se Covid-19 e kishte origjinën nga një rrjedhje laboratorike në Kinë, duke u thënë ligjvënësve se ai kurrë nuk ka ndikuar në kërkimet mbi origjinën e virusit.
Në herën e tij të parë duke iu drejtuar publikisht akuzave në një seancë 14-orëshe e mbajtur me dyer të mbyllura në janar, Fauci përsëriti gjithashtu se ai beson se origjina më e mundshme e pandemisë ishte transmetimi nga kafsha te njeriu. “Unë kam qenë gjithashtu shumë, shumë i qartë dhe kam thënë shumë herë, se nuk mendoj se koncepti i laboratorit është teoria më e besueshme, në thelb është një teori konspirative,” tha ai.
Fauci këtë herë u përplas me ligjëvënësit republikanë edhe për izolimin gjatë pandemisë, maskat dhe vaksinimin si dhe me besueshmërinë e agjencisë që ai drejtonte, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Muajin e kaluar, nënkomisioni i Dhomës së Përfaqësuesve zbuloi disa email-e në lidhje me mënyrat për t’iu shmangur ligjeve mbi të dhënat publike.
Ish-eksperti ka thënë prej kohësh publikisht se ka qenë i hapur ndaj të dyja teorive, por sipas tij ka më shumë prova që mbështesin origjinën natyrore të Covid-19 ndërsa mohon se e ka përdorur emailin e tij personal për punë qeveritare.
Republikanët kanë akuzuar gjithashtu Fauci se ka gënjyer Kongresin kur ai mohoi në Maj të vitit 2022, se agjencia e tij kishte financuar një proces kërkimor, në një laborator të Wuhanit, mbi ndikimin e mundshëm të një virusi në botën reale.
Ai gjithashtu përshkroi ngacmimet dhe kërcënimet me vdekje që ai dhe familja e tij kanë marrë pasi u fyen nga shumë ligjvënës republikanë për qëndrimet e tij pandemike dhe përkrahjen e vaksinave kundër Covid.
/a.r