Dy kanë qenë çështjet që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka ngritur gjatë takimit që ai zhvlloi gjatë paradites së sotme me komisionerin për zgjerimin Johannes Hahn, ajo e reformën në drejtësi dhe çështja e pronës. Sipas Nishanit, zbatimi i reformave sipas udhërrëfyesit të përcaktuar nga Komisioni Evropian duhet të jetë prioritet i prioriteteve, përfshirë reformën në drejtësi, por edhe të katër prioriteteve të tjera që përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut si dhe çështjen e pronës.
Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Presidenti Nishani ka evidentuar se mbetet i palëkundur në bindjen dhe mbështetjen e tij për një reformë që zhvillohet në suazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe standardit evropian, si dhe se kjo reformë që kapërcen kufijtë e mekanizmave të sistemit të drejtësisë dhe përbën një reformë kushtetuese duhet të sigurojë medoemos jetëgjatësi. “Vullneti i palëve për të ecur në këtë trajektore mbetet kyç në këtë fazë të procesit,” – ka deklaruar Presidenti.
Kreu i Shtetit u ndal edhe tek çështja e pronës, si një e drejtë themelore, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me fusha të rëndësishme të zhvillimit të vendit. Në këtë kontekst ai kërkoi një vëmendje më të madhe të Komisionit Evropian lidhur me këtë prioritet kyç, dhe veçanërisht ndaj ligjit të miratuar rishtazi në Parlamentin shqiptar, i cili shkon përkundër standardit të vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
(javanews.al)