Lihtenshtejni do të jetë testi i parë për kombëtaren shqiptare drejt kampionatit Europian. Një 90 minutësh që do t’i shërbejë trajnerit Sylvinho për të vulosur formacionin që do të hedh në fushën e lojës edhe përgjatë turneut gjerman.
Përballë Lihtenshtejnit, në takimin e sotëm të orës 20:00, trajneri brazilian ka premtuar se nga minuta e parë do të luajnë ata që nuk kanë pasur minuta të shumta në këtë sezon, por edhe me kombëtaren. Thomas Strakosha duket se do të fitojë balotazhin me Etrit Berishën.
Berat Gjimshiti kushtëzon zgjedhjet në prapavijë, me qendrën që do i besohet Kumbullës dhe Ismajlit, ndërsa nga krahët do të veprojë Hysaj e Naser Aliji.
Mirlind Dakun pritet ta nisë nga minuta e parë këtë takim, teksa po ashtu në krahun e majtë mendohet të provohet Arbër Hoxha, i cili ka shfaqur sinjale pozitive edhe në seancat e fundit stërvitore. Në krahun e djathtë do ketë hapësirë veprimi për Jasir Asani.
Sfida do të luhet në stadiumin e Haladas në Hungari, me kuqezinjtë që do të rikthehen sërish në bazën stërvitore në Austri pas këtij 90 minutëshi për të vijuar me përgatitjet. Miqësorja e dytë e qershorit do të luhet në të njëjtin stadium më datë 7 qershor dhe starton në ora 19:00.
Pas kësaj ndeshjeje kombëtarja do të transferohet në Kaizerau, ku do të qëndrojë përgjatë gjithë Euro 2024.
/a.r