Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nga Partia për Veprim Demokratik fitoi shumicën e votave në zgjedhjet lokale në Preshevë. Ajo shpalli fitoren mbrëmjen e së dielës ndërsa falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen.
“Subjekti ynë politik mori 4078 vota. Kjo fitore përveçse është rritje për subjektin tonë politik, krahasuar me numrin në rënie të votuesve, për ne është shumëfish më e madhe, pasi kemi dominuar në të gjitha bastionet”- deklaroi Sinani.
Ajo e cilësoi procesin zgjedhor shumë të rëndësishëm, ndërsa theksoi se për katër vitet e ardhshme do të qeverisë me maturi dhe përgjegjësi.
Ish-kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi njoftoi se në Bujanoc fitues i zgjedhjeve është kandidati i partisë Alternativa për Ndryshim, Arbër Pajaziti.
“Urime Arbërit për fitoren e merituar” – shkroi Arifi në Facebook. Duke akuzuar kryeministrin e Kosovës për ndërhyje, ai tha se qytetarët në Luginën e Preshevës i thanë “jo” Albin Kurtit dhe politikat përçarëse të tij nuk ndikuan te qytetarët. “Në Komunën e Preshevës, pas 8 vitesh fitore të njëpasnjëshme të Alternativës për Ndryshim, qytetarët vendosen një verdikt tjetër.” – u shpreh Arifi.
Ndërkohë, Ragmi Mustafa nga Partia për Veprim Demokratik, që mban postin e këshilltarit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, pranoi humbjen në Bujanoc.
“Zgjedhjet mbaruan dhe për fat të keq këtë herë nuk arritëm të fitojmë. Ky nuk është fundi.” – u shpreh Mustafa. Procesi i votimit në dy komunat e Luginës, Preshevë dhe Bujanoc përfundoi pa probleme serioze, ndërsa pjesëmarrja ishte mbi 30 për qind. Kryetarët e komunave nuk zgjidhen me votë të drejtpërdrejt, por me mbështetjen e shumicës së këshilltarëve.
Të dielën u votua në 88 qytete dhe komuna të Serbisë, ndërsa u rivotua në Beograd.
Partia Progresive Serbe e Vuçiqit shpalli fitoren në Beograd dhe gati në të gjitha qytetet e tjera. Zgjedhjet në kryeqytetin serb u përsëritën sepse s’kishte fitues të qartë në ato të 17 dhjetorit 2023, por opozita akuzoi për parregullsi. “Kjo është një fitore e jashtëzakonshme”, – tha Vuçiq në një konferencë për media, duke shtuar se partia e tij do ta ketë shumicën në Asamblenë e Qytetit të Beogradit, e cila ka 110 ulëse, ashtu si dhe në Novi Sad.
Megjithatë, Sevo Manojlloviç nga Lëvizja për Ndryshim tha se koalicioni opozitar nuk do t’i njohë rezultatet. “Këto janë zgjedhjet më të parregullta të zhvilluara ndonjëherë”, tha ai mbrëmjen e 2 qershorit.
Rezultatet paraprake në zgjedhjet lokale në Preshevë
Partia për Veprim Demokratik – 4078 vota – 11 këshilltarë
Partia Demokratike Shqiptare – 3093 vota – 8 këshilltarë
Alternativa për Ndryshim – 2856 vota – 8 këshilltarë
Lëvizja për reforma – 2140 vota – 6 këshilltarë
Aleanca për Luginën – 1154 vota – 3 këshilltarë
Unioni Demokratik Shqiptar – 566 vota – 1 këshilltar
Lista serbe – 641 vota – 1 këshilltar
/a.r