Mes lotësh dy prindër nga Elbasani, Bujar dhe Fiqerete Çepa mbërritën pasditen e kësaj të mërkure në studion e emisionit ‘Pa Gjurmë’ në Report Tv ku kërkuan ndihmë për gjetjen e djalit të tyre Albertit me të cilin kishin humbur kontaktet që prej datës 31 janar të këtij viti. Gjatë transmetimit emocione të forta pasuan minutat në vijim kur moderatorja e emisionit, Odeta Dume telefonoi live 27-vjeçarin. Me zemër të ngrirë për fatin e djalit të tyre, çifti Çepa u qetësua kur nga ana tjetër e telefonit dëgjuan zërin e Albertit për herë të parë pas 4 muajve ndërsa i riu pohonte: “Jam shëndoshë e mirë”.
Bujar Çepa (babai): Çfarë halli ke që nuk ke marrë ke 4 muaj. Jemi mërzitur të dy me mamin…
Albert Çepa (djali): Nuk kam gjë, do ju marr unë në telefon.
Fiqerete Çepa (nëna): O djalë, çkemi!
Albert Çepa (djali): Mirë jam, mos u bëni merak.
Fiqerete Çepa (nëna): Po mirë o mami, po pse nuk bëre një telefonatë? Dua të të shikoj fytyrën më ka marr malli. (Qan)
Albert Çepa (djali): Do ju marr vetë në telefon, shkoni në shtëpi mos u bëni merak
27-vjeçari kishte emigruar drejt Belgjikës që prej gushtit të vitit të kaluar. ndërsa shpesh në bisedat telefonike Alberti shfaqej i mërzitur, por nuk tregonte asgjë për atë ç’ka e shqetësonte. Kontaktin e fundit 27-vjeçari e pati me nënën e tij mbrëmjen e 31 janarit, por që prej atij momenti ai nuk u bë më i gjallë. Alberti bllokoi familjarët në të gjitha rrjetet sociale duke ndërprerë kështu kontaktet në rrethana të paqarta./m.j