Debati i pak javëve të fundit për ndërtimin e vendit të lojërave të fëmijëve e ka hequr vëmendjen në problemin real më të madh të Parkut, situatën ku gjendet Liqeni Artificial i Tiranës. Parku është bjerrë pa fund, ndërsa betoni dhe ndërtimet e kanë rrethuar ngado, duke kërcënuar për hapësira të tjera që do të bien shumë shpejt. Liqeni vetë është kthyer në kënetë, që ka nevojë për një trajtim të shpejtë sepse mund të kthehet në vatër sëmundjesh, pasi uji është mbushur me barishte dhe është i rrethuar në gjysmën e tij nga beton dhe mbeturina. Në të gjithë planet e mëtonjësve të bashkisë janë shpallur projekte për zgjidhjen e problemeve të saj, por situata e tij mbetet fare e pashpresë…
Ben Andoni
Shumica e njerëzve që merren me apologjinë e liqenit dhe të tjerët përballë që përpiqen të ndërtojnë vendin e lojërave të fëmijëe, parku i liqenit artificial përbën thjesht një hapësirë që duhet shfrytëzuar. Si? Nuk ka rëndësi! Një pjesë e duan për interesin e rëndomtë fitimprurës, një pjesë për të bërë emër si mbrojtës të liqenit, kurse pjesa më e madhe për asgjë. Të gjithë flasin për liqenin, por ky i fundit ka dekada që lëngon. Dhe, nuk ka rëndësi motivi, vend lojërash për fëmijë, vend pushimi për të moshuar apo pista e vrapimit dhe teatri veror, ai është thjesht objekt pushtimi! Ndaj njerëzit që kanë lidhur kohën me të dhe çlodhjen, vetëm sodisin, sepse e keqja të mbyt…
Parku i Liqenit Artificial nuk përbën më park, jo thjesht për metrat katror, që i janë marrë në vite, por sepse ai e ka humbur krejt funksionin e parkut. Një qytetar nuk mund të vrapojë më përreth, pasi pjesa jugore është pushtuar nga rruga dhe ndërtimet; nuk mund ta lahesh, sepse liqeni është kthyer në moçal që edhe bretkosat hezitojnë; kurse brenda parkut ka nga shtëpi private dhe deri te shkolla Uillson dhe me radhë. Mos u shqetësoni! Të gjitha janë me leje, por cili vallë ka dhënë leje për shtëpinë që është në vendin që dikur me toponiminë e vjetër quhej Plazhi? Kush e prishi Kopshtin Botanik? Si u dhanë lejet për të transformuar hapësirën e jugut të Parkut? Të dy krahët e politikës i kanë brenda njerëzit që e kanë bërë këtë, si firmues të KKRT-së së dikurshme, si njerëz të bashkisë e me radhë. Heshtin. Ia delegojnë fajin njëri-tjetrit.
Parku
Për hir të së vërtetës, Parku është bërë më social vitet e fundit dhe të gjithë familjet tiranase dhe të ardhurit e ngeshëm e kanë si një destinacion të mirë të kalojnë orët e ditës dhe të punësuarit pak orët e pushimit në fundjavë. Vrapohet dhe ecet masivisht. Duhet të quhet fat, se prej pak vitesh, në akset kryesore janë vendosur bllokazhe betoni, që nuk i lënë makinat të futen brenda. Kjo do të thotë të shpëtosh prej të fortëve dhe të rinjve garipa që të shqetësonin paq aty me zhurmën dhe pluhurin, që linin pas makina allosoj. Megjithatë, ka jo pak raste kur mund të hasësh ndonjë syresh që e gjezdis të dashurën e zemrës që hargaliset mes rrugëve, pa ia bërë tërr syri.
Në aksin që ngjitet nga Garda e Republikës dhe ndahet pak metra më tutje në degëzime, u realizua me ngut e ashtuquajtura ‘Rruga e Paqes’ në pllakat e të cilës duke filluar nga këmbët e një shkallëze, niset me shkrimin mbi to të emrit të ish-presidentit Topi dhe vazhdohet me pllaka emrat e personazheve njihen pak ose fare aspak. Presidentët e Botës së Tretë, në mos gaboj dhe mes tyre kujtoj dhe Z. Mubarak, qëndrojnë në rregull pas pllakës së zbërdhulur, që ka të gdhendur si të parë emrin e presidentit shqiptar. Të tjerat rrugina, e pakta, kanë mbetur si dikur, ende me atë sharmin e mrekullueshëm dhe me asfaltin e keq. Rrugëza u bë dhe u la në mes. I vetmi segment i mrekullueshëm është pas Pallatit të Brigadave në një rruginë që të përcjell drejt klubeve poshtë Varrezave të Dëshmorëve. Është një rrugë kalldrëmi e rregulluar nga duar mjeshtrash, që e kanë prishur makina tonazhi, që nuk e di ç’kanë dashur aty. Janë prishur ndërkohë dy banjat publike. Njëra është fill para Kishës së Shën Prokopit dhe tani mban mbi vete një klub simpatik që në mëngjes shërben për pensionistët dhe mbasdite shndërrohet për të rinjtë. E të gjitha do ishin kot, po të mos përcillnin aty drejt liqenit. Në çdo orë të ditës do gjesh npensionistë, që kanë muaj, vite që rrinë në të njëjtin vend. Ata janë pulsi i liqenit dhe ritmi i padukshëm i tij.
Të gjithë dihen shkojnë t’i hedhin një sy liqenit. Por ai s’është më si më parë. Ngjan me ato momentet e ndërmjetme kur një qenie merr udhën në jetën e pasosun dhe në fund ndër grahma komunikon gati në mënyrë metafizike me gjindjen përreth. Kështu është liqeni në ditët tona. Një i vdekur i pakallur. Kanalizimet jo të mira, ngritjet pa kriter të klubeve, madje njëri ka bërë një qendër sportive dhe klub fill pas vendit që njihej dikur si Plazhi. Më e frikshmja nga të gjitha gjëndjet mbetet një masë barishte e frikshme që del deri në sipërfaqe të ujit të liqenit çdo pranverë dhe që stimulohet nga papastërtitë e tani ka pushtuar hektarë të tërë uji. E sa për ngjyrën e ujit, ajo është një temë studimi për piktorët sepse ka një ngjyrë që nuk mund ta përcaktosh më dot.
Intermexo
Parku i liqenit artificial të Tiranës u realizua me goditje të përqendruar në jug të kryeqytetit në vitet 50-të. Kështu ndodhte në atë kohë. Projektimi dhe ndërtimi i tij iu ngarkua inxhinieri i njohur Nuri, i cili u përpoq që bazeni dhe pylli i sapombjellë në terma afatgjatë do të ishte mushkëria potenciale e Tiranës, por ndërkohë të kishte dhe atribute të mëdha argëtuese. Në vitet e socializmit, ai shpëtoi falë mungesës së njerëzve atje dhe kulturës së pakët për ta shfrytëzuar si duhet. Të vjen të qeshësh se shumë nga djemtë e Tiranës (Besoj shumica e këtyre që janë të lidhur pro dhe kundër parkut të fëmijëve) e mësuan liqenin pas viteve ’90. Deri më atëherë, nëse kaloje Gardën do quhesh djal’ rrugaç që të laheshe në liqenin, që ishte vetëm për notarët, garipat e qytetit, dhe romët, që në dekada bënë dhe kronologjinë e mbytjeve sezonale.
Pas ‘90
Fillimi i viteve ’90 e gjeti të paprekur, por ndërkohë si në të gjithë Shqipërinë u shfaqën dendur njerëzit që filluan duke prerë drurët dhe vazhduan duke ngacmuar aksesorët e saj. Nuk lanë gjë pa vjedhur dhe hekur pa marrë. Teatri u vodh barbarisht. Tulla, tuba, aksesorë. Aman çiftet ishin më të shpenguar dhe nuk donin t’ia dinin për aktin seksual që e bënin më krenarisht sesa dikur prej frikës. Ah dhe harruam: u larguan fuksat (kategoria më pa personalitet e SIGURIM-it, që ndiqnin të huajt). Pak nga pak u larguan notarët, ata që i jepnin jetë ujit duke e humanizuar dhe rruginave të liqenit duke vrapuar. Për një kombinim të shkaqeve, kioskat që filluan kudo nuk e prekën këtë pjesë aq shumë, paçka se ato edhe këtu patën përhapje. Sot, vetëm në pjesën veriore dhe atë lindore ka mbetur pylli i bërë me punë vullnetare ndërsa pjesët e tjera janë të zhveshura kurse pjesa jugperëndimore: ajo ka dalë krejt jashtë kontrollit prej ndërtesave të shumta. Në parkun e Liqenit Artificial ndodhen de jure dhe kopshti botanik si dhe ai zoologjik i Tiranës. Por ndërsa i pari është thjesht koncept; i dyti është gati i pushtuar kudo prej ndërtimeve të pamëshirshme. Zvogëlimi i parkut erdhi me keqpërdorimin e Kopshtit Botanik dhe më shumë akoma, rrethimit të frikshëm që i është bërë tashmë liqenit artifical prej blloqeve që po e mbysin Kurorën e Tiranës. Parku duhet thënë se ka pasur një sipërfaqe të përgjithshme prej 265 ha dhe sipërfaqe të gjelbër 211 ha, por që tani duhet të jetë pak më shumë se gjysma. Tiranasit, dikur shpesh, e bënin xhiron e tyre mbi digën 400 m e cila pak vite më parë mbyti pa mëshirë Tiranën e Re, kurse sot u ka mbetur thjesht të këqyrin muzgun e liqenit të tyre, që lëngon prej sëmundjeve të shumta. Insekte, papastërti, uji i munguar, tani janë më shumë burim sikletesh sesa argëtimi. Ai ka marrë një ngjyrë vdekëtari pas një lëngimi të stërgjatë, ku të gjithë luten: Ik më mirë.
Këneta në jug të qytetit
Kjo ngjyrë bëhet sepse uji po thithet frikshëm dhe përdoret anekënd, ndërsa ushqehet gjithnjë e më pak. Nuk qarkullon më si më parë, ndërsa rënia e nivelit të ujit e ka bërë liqenin t’i ngjaj më shumë një moçali. As më shumë e as më pak, ai është vetëm një vend i mirë vrapimi dhe mundësi ecje në agim përreth dhe vetëm kaq. Pak kush e mendon atë si vend pushimi disa orësh sepse Liqeni nuk ta jep këtë mundësi. Ata që e administrojnë prej kohësh kanë hequr dorë përveç punës së përditshme (me të cilën justifikojnë rrogat) që do të thotë një pastrim rutinor i rruginave dhe një kontroll i hapësirave për ndonjë vend ku janë prishur pemët dhe sidomos puna që bëhet në fillimjavë, kur pastrohen mbeturinat që lenë njerëzit. Fuqia e tyre për të apeluar dhe kërkuar mbrojtje nga kundravajtësit pothuaj as dëgjohet fare. Bashkia është e pamundur ta përmirësojë me kapacitetin e njerëzve teknikë që merren me të dhe puna e të cilëve është thjesht të ndajnë punëtoret e pastrimit. “Nuk mund të flas dot, më thotë njëri nga punonjësit që më njeh dhe që ndërroj një përshëndetje, kur dal të vrapoj. Lëre se me këta të pjell belaja”. Dhe, liqeni s’ka më nevojë të flitet ose të përflitet, ai është një realitet. Ujërat e zeza, që kanë vite që derdhen pareshtur në liqen, kanë bërë të rritet sedimenti poshtë duke e çuar fund-liqenin drejt një lloj pakësimi të frikshëm. Kur kësaj i shtohet dhe periudha e gjatë pa shira, atëherë liqeni artificial është vërtetë një kënetë. Nuk e kuptoj personalisht sesa do të vazhdojë kështu. Nëse liqeni do të kishte edhe abuzimin e disa viteve më parë, atëherë vërtetë duhet ta qanim këtë vend, që ka qenë vendi i ëndrrave të dhjetrave sportistëve dhe e dashamirëve të natyrës në 50 vitet e fundit.
Çfarë i kanë bërë liqenit?!
Strukturat përkatëse të bashkisë të 20 viteve të fundit jo vetëm arritën që këtë vend ta kthenin në një mjedis të një pushimi të kulturuar, por më shumë akoma kanë krijuar përshtypjen se shqiptarët gjithnjë do e kenë të vështirë të bëjnë një vend si duhet. Pasi liqeni në vitet e fundit po jeton thjesht falë natyrës dhe reshjeve të saj të mëdha mbi territorin shqiptar. Sa i përket atyre kinse specialistëve dhe parashikuesve të saj, ata më mirë është që t’ua harrosh emrin…
Në vitet e fundit ka një përpjekje për ta kthyer Parkun në një vend panteoni. Por, së fundmi doli fiasko përpjekja e Ministrisë së Kulturës për të sjellë eshtrat e piktorit Kodra, pas rezistencës së bashkëfshatarëve të tij të Ishmit, që në të gjallë pak e njihnin. 100 metra në të djathtë të obeliskut për DEBATIK-in është varri monumental i Vëllezërve Frashëri (me varrin bosh të Samiut) që për një farë kohe u bënë objekt tallje i bredhësve nokturnë që i shkarravisnin paq me grafitet qesharake. Për fat, kjo e fundit, pas një apeli u pastrua. Autoritetet, pak vite më parë, bënë dhe një budallallëk kortezie: Konicën që e përqeshte Naimin ia vunë përbri në gjumin e pasosun. Le të mos i kujtojmë këto. Çuditërisht varret afër të ushtarëve gjermanë dhe britanikë, që janë aty ngjitur, asnjëherë s’u prekën. Kompleksi kombëtar që me të huajin mos u kruaj i ruajti gurë-varret e luftëtarëve armiq.
Pak më poshtë, veranda tek cepi përballë ish Gjirit të notarëve është katandisur si mos më keq, nxirë nga zjarre peshkatarësh amatorë dhe romësh, por më shumë akoma katastrofën e Liqenit e shikon në atë që njihej si gjiri i Lopëve (vend që vizitohet sërish nga lopët e fshatarëve të Saukut) ashtu si e njihnim atëherë dhe që sot e kësaj dite shërben sërish për lopët e ndryshme, që kanë sjellë banorët përreth. Për ta bërë më idilik të gjithën, që nga një shtëpi afër Stadiumit Kombëtar, dikush ka nxjerrë delet deri vonë, teksa kalonte i patrazuar të gjithë hapësirën e liqenit, mes Sheraton-it dhe restorantit “Juvenilia”.
E po arritëm të flasim për pjesën tjetër pas liqenit nuk ia vlen. Pas prishjes së rezervuarit, ai është kthyer në një vend vetëm për ndërtimet marramendëse që nuk dinë të përfundojnë dhe që kanë formuar një lagje të tërë në këtë zonë kaq preferenciale. Provincialët e pasuruar u bëjnë qesëndi nga pallatet e sistemuar tiranasve mbetur në shtëpitë e vjetra si kuvli. Jam pak konfuz për atë që dha lejet e para, por më duket se ajo fillon nga koha e qeverisë “Meksi”. Z. Rama, si kryebashkiak, me malin e propozimeve dhe me inaugurimet e pemëve s’arriti ta bëjë liqenin një vend që t’ia vlente. Shpjegimet e tij të gjata dhe pathosi gjestikulatik nuk na çuan asgjëkundi, ashtu si projektet në erë të mëtonjësit të tij, z.Basha, që më shumë se projekte reale u bënë me një retorikë që s’thoshte asgjë. Kryebashkiaku i ri Velia është para një sfide të vërtetë, pasi ka qenë nga të parët që e shfrytëzoi për aktivitetet e veta teatrin veror. Por momentalisht ka hapur një front lufte që nuk dihet sesi do të mbarojë, ndërsa nuk po mundet që të paraqesë si duhet sfidën e tij.
Rama anipse ka meritën se grishi që liqeni në një farë mënyre të mbetej një vend tërheqje për idealistët. Paraaardhësi i tij arriti të vinte vetëm dritat mbi digë, kurse ata përpara gati asgjë. Të gjithë palët bëjnë të paditurin që dikush ka ndërtuar brenda Parkut të Liqenit, kurse një tjetër e shtoi dhe e shtoi banesën e tij e cila tani e stërmadhe dhe kaba fle shëmtuar fill e sipër mbi Gardën e Republikës! Duket se liqeni i ka shemëruar të gjithë me butësinë e tij ndaj e keqja ka dashur ta sfidojë me çdo kusht. Disa vite më parë “gojët e këqia” thoshin se ekziston madje edhe një plan për parkun e liqenit për ta shuar. E vërtetë ndërtimet filluan që sipër shkollës “Petro Nini Luarasi” dhe u ngjitën ngadalë sipër. U prishën institute, vende sportive për ndërtime shëmtaraqe mbushur me klube me emra karamelesh. Njerëzit e thjeshtë, të hallakatur me paradokset shqiptare, janë të sigurt se gjërat këtu u bënë me qëllimin që mbi liqenin të përftohet, ndaj ndërtimet shkojnë që nga pallatet e reja te Garda dhe deri poshtë digës së Liqenit.
…
Parku i Liqenit, vetë, në fakt ka humbur sharmin e vendeve të saj. Sikur të flasësh me një njeri që e njeh liqenin do të thotë sesi u prishën kabinat e notarëve, sesi funksionon “amfiteatri”, që një mjedis i është dhënë një strukture sportive që s’bën asgjë; sesi po vjedhin stolat dhe sesi i sharruan paralelet, si është banja poshtë përballë “Plazhit” që tani s’ka zot; sesi u prishën verandat; si nuk ka sot asnjë mjedis sportiv veç një privati poshtë etj. Për fat, Basha, në kohën e tij shtoi disa paralele… Liqeni ka nxjerrë në një farë mënyre sesa të zotë jemi ne për të administruar një gjë tonën. Një gjë që punonjëset e bashkisë që e mirëmbajnë shpesh e bëjnë më të pakëndshme me plehrat që i lënë kudo. Kush nuk e ka provuar pluhurin e inatosur të tyre në kohën kur njerëzit vrapojnë apo argëtimin e njerëzve me qen që i lenë kafshët e lirë, sado të rrezikshëm të jenë…
Mbase kjo ia vlente të diskutohej dhe të bëhej protesta, që njerëzit që e katandisën liqenin dhe po mundohen ta bjerrin të diskretitoheshin dhe jo të vazhdohet më kështu, teksa hapësirat e Parkut të Liqenit ose të ashtuquajturat “Mushkëri të Tiranës”, realisht janë të sëmura…