Ish-Kryeministri Sali Berisha nga ballkoni i banesës ku ndodhet në “arrest shtëpie”, duke iu drejtuar mbështetësve të tij, akuzoi Kryeministrin Edi Rama ka ka shtyrë përsëri publikimin e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës.
Berisha tha se Rama po i trajton shqiptarët jo si njerëz, por sikur të ishin banorë të një pularie.
“Ky armik i egër, ky Çubrilloviç i shqiptarëve, që shpopulloi këtë tokë më shumë se çdo pushtues tjetër, ka 6 muaj që regjistron si të gjallë të vdekurit tanë.
Ka 6 muaj që shndërron regjistrimin e popullsisë në regjistrat e Çiçikovit, një personazh i Nikola Gogolit.
Ka 6 muaj që përpiqet të fshehë krimin më makabër të kryer në histori ndaj kësaj toke, zhbërjen, shpopullimin e 1.1 milion shqiptarëve në qeverisjen e tij 10-vjeçare.
Nuk ka krim më monstruoz kundër shqiptarëve se ky. Nuk ka shërbim më të madh ndaj armiqve të kombit se sa ky shpopullim.
Nuk ka ndëshkim mbi tokë që nuk meriton Edi Rama për këtë shpopullim të tmerrshëm që rendit Shqipërinë fill pas Sirisë.
Siria ka 10 vite në luftë të egër civile, kurse Shqipëria, shqiptarët edhe ata kanë 10 vite. Nuk përballen me ISIS-in, nuk përballen me diktaturën e Asadit, por përballen me formën më të keqe të diktaturës. Me diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së tyre.
Në qoftë se ka në historinë e kombit dhe në historinë e botës nj vërtetim absolut se diktatura e bandave, krimit, drogës dhe vjedhjes është forma më e egër e diktaturës, modeli, shembulli më autentik është Shqipëria nën sundimin e Edi Ramës.
Është Shqipëria që paraqitet para fëmijëve të saj, para bijave dhe bijve të saj si një tokë e ndaluar, për të mos thënë si një tokë e mallkuar”, tha Berisha./m.j