Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha një ditë para vizitës së Eurokomisionerit Johannes Hahn në vendin tonë tregon në rubrikën “Opinion” në News 24 axhendën e tij të takimeve dhe çështjet për të cilat do të diskutojnë pasi ti bashkohet Tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë.
Gjosha tha se Hahn do diskutojë me palët politike mundësinë e gjetjes së konsensusit politik në lidhje me reformën në drejtësi.
“Takimi do zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa në fokus do jenë 5 prioritetet. Do diskutohet për sukseset e arritura që nga progres raporti ndërsa fokusi do jetë tek reforma në drejtësi. Mungesa e dialogut politik shkakton një sërë problematikash, qytetarët presin shumë më të madhen reformë që është ajo në drejtësi. Nuk ka të bëjë vetëm me procesin e integrimit, por do të kthejë besimin e qytetarëve tek drejtësia. Të sjellë sa më shumë investime të huaja, të hapen vende të reja punë. Do bisedohet për dialogun e munguar dhe gjetjen e një konsensusi për këtë reformë”.
Në lidhje me procesin e integrimit, Gjosha tha se: “Janë bërë hapa para, ky është një proçes në vijim. Është bërë reforma në administratën publike. Kemi bindje se zbatimi i ligjit të nëpunësit civil dhe gjithë reforma administrative ka një ecuri mjaft të mirë. Tashmë po zbatohet edhe Kodi i Procedurave Civile. Pika e dytë është reforma në drejtësi në ngërç, prej saj varen dy të tjera çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, është proces zinxhir. Prioriteti numër 5 që ka të bëjë me të drejtat e njeriut po ecën mjaft mirë, pasi kemi miratuar edhe ligjin e pronës”.
Procesi i Berlinit..
Procesi i integrimit është shumë kompleks, ndonjëherë edhe abstrakt për qytetarët shqiptarë. Projekti i Berlinit ka të bëjë me projekte konkrete të lidhjes së vendeve me njëra-tjetrën. Unë nuk mendoj që Ballkani do të trajtohet në bllok, apo që të gjitha vendet që aspirojnë do të hyjnë në të njëjtën kohë, kjo do të varet nga ecuria e reformave nga secili vend. Një punë e madhe na pret.
Kriza e refugjatëve mund të jetë një krizë momentale për vendet që aspirojnë për në BE, por për të ardhmen kjo mund të jetë pozitive për një bashkëpunim më të madh mes vendeve.
Shengeni është vënë në pikëpyetje serioze, nga ana tjetër Brexit…A na shtyn kjo procesin?
E shtyn por nuk e bën të pamundur. Nuk do ta quaja zgjidhje ngritjen e mureve për refugjatët. Duhet një strategji shumë herë më e madhe nga Europa.
Në rast se ne përmbushim 5 prioritet kyçe, cila do të ishte koha për hapjen e negociatave me BE-në?
E gjithë vëmendja e fokusuar tek reforma në drejtësi. Me kryerjen e saj do të ketë edhe një raport nga KE, nëse do të jetë pozitiv do të ketë një rekomandim të mundshëm për të hapur dritën jeshile për ecurinë e këtij procesi. Procesi është shumë teknik përsa i përket lidhjes me KE, por bëhet politik kur vendoset përballë ministrave të vendeve anëtare.
Si janë takimet me vendet më kokëforta të BE-së, si Polonia, Hungaria etj?
Janë vende që mundohen të lidhin proceset me reformat në vend, por edhe që janë prekur nga kriza. Kështu që pritet të jenë pak më shumë skeptike. Do të shpresoja që Shqipëria të mos pengohej në këtë proces. Na janë dashur 5 vjet për të marrë statusin, nuk do doja që shqiptarët të prisnin kaq gjatë për çeljen e negociatave. Kapitujt janë shumë herë më konkret se procesi ku ndodhemi. Do i ndihmonte të dy palët të ishin më konkret për gjërat që kërkohen.
Përafrimi i ligjeve me BE…
Ne para disa muajsh kemi miratuar dhe planin ndërkombëtar të integrimit. Përafrimi i ligjeve, do të jetë një proces që do të jetë më në fokus në momentin që Shqipëria do të hapë negociata.
A ka kosto financiare për një shtet të varfër si Shqipëria për t’ju përgjigjur kushteve?
Ligjet përkthehen në kosto. Përafrimi i ligjeve ka një kosto. Kosto e shtuar edhe për përkëthimin e legjislacionit. Volumi do të jetë tejet i madh. Pjesa tjetër ka të bëjë me çështje të pagave etj. Po të bëjmë dy kolona me gjërat pozitive, do të thoja që Shqipëria më shumë fiton nga ky proces se sa humbet. Ne jemi një vend që kulturën e shtetndërtimit nuk është se e kemi patur dhe më parë, ne po ndërtojmë çdo ditë.
Sa do ta përballonte ekonomia shqiptare hyrjen e euros?
Do të diskutohet, nuk i përket këtij momenti që ne flasim. Shumë vende ende nuk e kanë në përdorim euron. Në shumë biznese përdoren edhe lekët edhe eurot. Hap pas hapi vendi do të përgatitet.
Opozita po vë kushte në lidhje me një reformë shumë të rëndësishme për integrimin edhe opozita e djeshme vendosi kushte. Si do shkojë kjo gjë?
Është çështje mentaliteti e krijuar ndër vite. Procesi i integrimit është kthyer në një gur që luhet nga partitë politike. Procesi duhet të ndahet nga të gjitha përfitimet e partive politike. Ka të bëjë me shqiptarët. Nuk duhet të përdoren çështje të tilla për të mbajtur pezull një vend të tërë. Sot kemi mbi 87% të shqiptarëve që realisht e duan ecurinë e vendit drejt BE-së dhe ata nuk mund të mbahen peng.