Arsimi i lartë publik vijon të humbasë terren kundrejt atij privat, sa i takon numrit të studentëve, ndërsa problematika më e madhe që identifikohet është ajo e akreditimit pa kriter të programeve të studimit.
“Arsyet dihen pse ka studentë më pak, shpopullimi, emigracioni i madh po ashtu edhe problemet me arsimin në tërësi si edhe rritja dramatike e universiteteve private. Iu kanë dhënë të gjitha degët. Pra çdo universitet bën edhe inxhinieri, mjekësi, shkenca sociale e të gjitha me radhë. Kanë marrë edhe programet dy vjeçare, në asnjë vend të botës nuk jepet kurs kompjuteri në shkollë të lartë, vetëm në Shqipëri ndodh. Deri në këtë pikë e kanë çuar”, tha Sandër Kovaçi, kryetar i sindikatës së punonjësve të universiteteve.
Ndërkohë, pavarësisht ndryshimeve që ka pësuar tregu i punës, preferencat e të rinjve shqiptarë vijojnë të mbeten po ato. Fusha e studimit shëndet dhe mirëqenie ka njohur rritjen më të madhe krahasuar me një vit më parë.
“Këtu ndodh kjo që psh. për degën e infermierisë çdo universitet në rrethe e ka si degë, çdo privat e ka, dhe nga 300-400 kuota. Duket sikur po i përze vetë njerëzit drejt Gjermanisë, bëhet apo s’bëhet mësim atë se dimë por certifikatat që iu duhen, i marrin. Ato kuota shumë mirë mund të shpërndahen në degë të tjera..”, tha Kovaçi.
Referuar shifrave zyrtare, në vetëm një vit sistemi arsimor humbi të paktën 20 mijë nxënës dhe studentë.