Deputeti demokrat i qarkut të Elbasanit Luçiano Boçi ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për shantazh dhe dhunë ndaj të rinjve gjimnazistë. Duke ju referuar dy sms-ve të shkruara nga Kryeministri për dy të rinj gjimnazistë, deputeti deklaron se Kryeministri i kërkon me pahir studentëve që t’i bashkohen PS-së.
“Edi Rama ushtron presion prej kaçaku ndaj Mateos në këtë rast, apo Artemisit në këtë rastin tjetër, duke ju kërkuar një PO të shpejtë, provë e delirit të rënduar në kokën e tij, prej sundimtari dhe satrapi oriental. Shumë gjimnazistë me rezultate të shkëlqyera kanë arritur deri këtu, me mund e me djersë, duke lexuar e studiuar. Ju kërkon nxënësve më të mire, të bashkohen me më të zinjtë e vendit. Ne i bëjmë thirrje të rinjve ta hedhin në koshin më të afërt të plehrave, këtë përqeshje dhe shantazh të Edi Rames.”- tha Boçi.
“Liria e zgjedhjes në këtë vend është arritur me gjak e sakrifica, dhe nuk mund të preket nga askush. Më të mirët e bijve dhe bijave të Shqipërisë kanë tjetër kurs, atë të vlerave më të mira shqiptare dhe europiane të meritës, konkurencës së ndershme, dhe dinjitetit individual.
Këto vlera që do të lartësojnë Shqipërinë e të nesërmes janë në betejë me krimin, me korrupsionin e hajdutërinë. Ndaj dhe rruga e të rinjve shqiptarë është natyrshëm një rrugë krejt e ndryshme nga ajo e Edi Ramës.”- ka përfunduar fjalën e tij deputeti i djathtë.