Nga Artur Ajazi
Diku përdoret “ujku”, diku tjetër “uku”, por mbetet fjala më brilande që gurra popullore ka krijuar. E thonë për dikë, ose për disa, që flasin, ulurasin, dhe akuzojnë tjetrin, por për vehte bëjnë namin. “Uku, uku, por çakalli bën kërrdinë”. Kjo vlen për ata që bëjnë sikur kanë ardhur dje nga Marsi në Tokë, për ata që hiqen sikur nuk e kanë marrë kurrë pushtetin, dhe që sot nuk rreshtin së akuzuari “hajdut, kriminel, trafikant, i korruptuar, bandit”, e me lloj-lloj fjalish që pak i besojnë nga ata që i njohin.
Në fakt, sot edhe ata që kanë lindur pas 2013, nuk u besojnë më, pasi kanë dëgjuar për bëmat e tyre. E kam fjalën për “korin dhe orkestrën” e Rithemelimit, që ka 2 vjet e ca, që i bie të njëjtës vijë melodike, duke mos ndryshuar asgjë. “Lironi liderin e burgosur politikisht”, apo dhe “ju jeni qeveri hajdute”, keni marrë “kaq dhe aq” milion euro, keni shkatërruar bukuritë e vendit”, dhe shumë refrene të tjera që dëgjohen në ekrane nga cicëronët e Rithemelmit. Po si nuk merren njëherë me hallet dhe problemet e tyre, të paktën tani që fushata elektorale nuk është larg ? Si nuk merren njëherë me problemin më të madh që ka ajo parti (jo arrestimi Berishës), siç është fati i asaj force politike pas zgjedhjeve dhe humbjes në 2025 ?
Por le të ndalemi paksa tek “qelibarët”, tek “kori dhe orkestra” e Rithemelimit. Të gjitha ata që flasin sot për Edi Ramën, Spiropalin, Ballukun, Olsi Ramën, Ulsi Manjën, Tauland Ballën, apo Ogerta Manastirliun dhe Erion Veliajn, janë me nga 2-3 apo 4 mandate deputeti. Janë pasanikër, kanë mëkate mbi kurriz, mbi shpirtin e tyre, kanë miliona euro pasuri, kapardisen majë fuoristradave 150 mijë euroshe, dhe tallin “menderen”, duke bërë medemek..opozitën e fortë. Ata sot akuzojnë “qeverinë e korruptuar, bandat e qeverisë”, por harrojnë se dikur kur ishin në pushtet, bandat i mbanin në zyra, hanin dreka dhe darka bashkë, u jepnin tendera rrugësh, leje ndertimi për pallate, supermarkete, vila dhe resorte, dhe që edhe sot nuk kanë shkëputur lidhjet akoma.
Ata që sot akuzojnë qeverinë, ministrat, apo kryeministrin, harrojnë se sa ishin në pushtet, nuk lanë fis, farefis, dhe mikun e tyre pa bërë me poste, biznese, dhe pasuri të tjera që edhe sot i gëzojnë për bukuri. Pra, drejtësia e re, të cilën ata e akuzojnë se “është e kryeministrit Rama”, qenkësh e “molepsur në afera” sepse në fakt nuk po u hap atyre dosjet e abuzimeve, sepse nuk po gërrmon për milionat dhe pronat e hipotekuara që kanë, për milionat në banka. Atëhere, cilën opozitë të besojmë.
Atë të zhyturën deri në grykë në korrupsion, apo atë që del rrugicave dhe sallave të Parlamentit dhe bërtet “qeveri e korruptuar, qeveri e krimit”. Le të nisë SPAK-u, hetimin edhe të pasurive të “korit dhe orkestrës” së Rithemelimit, dhe do të shohin pastaj shqipëtarët se sa “qelibarë” janë ata që i “qajnë hallet popullit”, për të besuar atë shprehjen e vjetër popullore, “uku, uku, por çakalli paska bërë kërrdinë”..