Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit e ka hartuar planin për turizëm të sigurt gjatë sezonit turistik, kur këtë vit pritet të ketë një numër më të lartë turistësh se një vit më parë.
Në konferencën “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurt” ku merrnin pjesë 3 ministra; ajo e Infrastrukturës Belinda Balluku, ai i Brendshëm Taulant Balla dhe ajo e Turizmit Mirela Kumbaro, Balla renditi planin e masave.
“Kemi hyrë në fazën më intensive të sezonit. Akset rrugore dëshmojnë për një prezencë të madhe të vizitorëve të huaj që hyjnë kryesisht me makinat e tyre në pikat e kalimit kufitar. Ne presim të kemi një rritje krahasimisht me vitin historik 2023, me 30-40% të vizitorëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë. Ministria e Brendshme përmes Policisë së Shtetit, IKMT, përmes shërbimit zjarrfikës ka filluar zbatimin e planit kombëtar që ne e kemi quajtur “Qëndrim të sigurt në Shqipëri” për të garantuar sezon të sigurt për çdo pushues për të rikonfirmuar edhe këtë vit certifikimin tonë si destinacion turistik me siguri mbreslënëse.
Pothuajse të gjitha korridoret tona rrugore janë korridore europiane. Kjo është një sfidë tjetër e shtuar. Janë identifikuar 600 pika grumbullimi mjetesh, zotëruesit e të cilave janë dytyruar t’i zhvendosin vullnetarisht brenda një afati të arsyeshëm, e më pas kemi ndërhyrë sipas ligjit në masat që lidhen me masa administrative, sekuestrim apo mbyllje të aktiviteteve.
Në planin e madh të masave janë parashkuar të angazhohen në këtë operacion kombëtar plot 1635 punonjës policie, pjesa më e madhe e tyre pjesë e Forcës Kombëtare të Sigurisë Publike. Një zë i rëndësishëm është numri i punonësve të policisë së qarkullimit rrugor që do jenë në bashkëveprim me entet e tjera publike për të garantuar sa më shumë siguri rrugore”.
Ministri Balla tha se gjatë këtij viti, në Shqipëri pritet të ketë një qarkullim prej 4.5 milionë automjetesh në rrugët kombëtare.
Balla foli edhe për ndëshkimin e drejtuesve nga policia rrugore në rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit.
“Nuk ka asnjë gjobë rrugore sot që nuk është e dokumentuar me fotografi dhe me video. Ka nevojë për ndërgjegjësim të madh që nuk ke asnjë shans të mendosh se nuk të shohin, se nuk të ndjekin me radar, madje ta çojnë edhe me video ta kesh për kujtim. Nuk jemi gati me projektin Smart City të zbatuar, por jam krenar që falë mbështetjes së Kryeministrit në të gjitha qytetet kryesore përfshirë dhe zonat turistike do të kemi gati shpresoj vitin e ardhshëm edhe pjesën që lidhet me sigurinë publike dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës private dhe monitorimin e trafikut përmes një sistemi gjithëpërfshirës, intreligjencë aritificiale”.
Ministri i Brendshëm garantoi se radhët në pikat kufitare Shqipëri-Kosovë do të ulen dhe do të lehtësohet kalimi i qytetarëve.
“E kemi adresuar edhe një prej shqetësimeve që ka të bëjë me radhët në dogana, ka filluar zbatimi i protokollit dypalësh në Morinë – Kukës dhe po ashtu besoj deri javës tjetër do njoftojmë edhe lehtësimin e kalimit edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar me Kosovën për të mundësuar kalim të lirshëm të kufirit për të gjithë turistët. Risia jonë këtë vit është pjesa që ndërlidh 3 shërbime publike; Policia e Shtetit, Shërbimi Zjarrfikës dhe Urgjenca Kombëtare. Të treja janë të ndërlidhura shumë me njëra-tjetrën”.
/a.r